Vrasja e gazetarit, Princi i Kurorës: Ishte ekstremist islamik i rrezikshëm

schedule12:01 - 2 Nëntor, 2018

schedule 12:01 - 2 Nëntor, 2018

Mediat amerikane raportojnë se gjatë një bisede telefonike, Princi i Kurorës, Bin Salman, i ka thënë Shtëpisë së Bardhë se gazetari i vrarë Jamal Khashoggi ishte një ekstremist i rrezikshëm islamik. Megjithatë një gjë e tillë është përgenjështruar nga familjarët e gazetarit të vrarë në konsullatën saudite më 2 Tetor.

Princi i Kurorës saudite Mohammed bin Salman i kishte thënë Shteteve të Bashkuara se mendonte se gazetari i vrarë Jamal Khashoggi ishte një ekstremist islamik i rrezikshëm, thonë mediat.Biseda telefonike e Princit me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë ndodhi para se Arabia Saudite të pranonte se 59-vjeçari ishte vrarë brenda konsullatës saudite në Stamboll. Rijadi ka mohuar raportet në “Washington Post” dhe “New York Times. Një kritik saudit dhe i njohur i sundimtarëve sauditë, Khashoggi u vra dhe trupi i tij u shpërbë më 2 Tetor. Trupi i tij ende nuk është gjetur.

E fejuara e tij, Hatice Cengiz, i ka bërë thirrje liderëve botërorë që “të dërgojnë organizatorët përpara drejtësisë”, në një editorial për “The Guardian” dhe “Washington Post”.  Arabia Saudite mohon përfshirjen e familjes mbretërore dhe thotë se është “e përkushtuar të zbulojë të gjithë ngjarjen”. Muajin e kaluar Princin Mohammed Bin Salman tha se “krimi ishte i dhimbshëm për të gjithë sauditët”.

Gjatë telefonatës me dhëndrin e presidentit Trump, Jared Kushner dhe këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, trashëgimtari i Kurorës ka thënë se Khashoggi ishte anëtar i “Vëllazërisë Muslimane”, një organizate islamiste ndërkombëtare, raporton Uashington Post. Biseda telefonike ka ndodhur me 9 Tetor, një javë pasi Khashoggi ishte zhdukur, dhe thuhet se Princi bin Salman i është lutur Shtëpisë së Bardhë që të ruajë aleancën SHBA-Arabi Saudite.

Pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga familja e Khashoggi-t të cilën thonë se ai nuk ishte pjesë e “Vëllazërisë Muslimane” dhe sipas tyre një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë gazetari i vrarë. Ndërkohë, ende nuk ka konsensus për mënyrën se si vdiq 59-vjeçari. Të enjten, Turqia tha se ai është mbytur menjëherë pasi hyri në konsullatë dhe trupi i tij ishte shpërbërë më pas “në dakordësi me planet e bëra më përpara”. Nga ana tjetër, sauditët kanë ndryshuar shpeshherë versionin e saj, por megjithatë ka pranuar edhe pse me vonesë që ai është vrarë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!