Festë për ekipin e kategorisë së katërt që u ndesh me Bayern Munchen

schedule15:52 - 31 Tetor, 2018

schedule 15:52 - 31 Tetor, 2018

Bajerni i Mynihut nuk e pati të lehtë në Kupën e Gjermanisë, edhe pse pati përballë një ekip të kategorisë së katërt. Rivalët e bavarezëve luajtën ndeshjen më të madhe në historinë e tyre.

Ishte jo ngjarja e vitit, por e gjithë jetës. Skuadra e një qyteze gjermane prej më pak se 10 000 banorësh do të luante ndaj superfuqisë Bajern në Kupë. Banorët e Rëdinghauzenit ishin të lumtur, ashtu si edhe futbollistët, trajnerët, dhe drejtuesit e klubit të kategorisë së katërt. Edhe pse dueli i shekullit nuk u luajt në stadiumin e qytetit, pasi ishte tepër i vogël dhe me ndriçim të dobët për transmetim direkt televiziv, sërish kjo nuk e largoi aspak entuziazmin.

Në impiantin e Osnabrykut, të quajtur “Ura në Bremer”, ishin plot 16 000 spektatorë, pra tifozët kishin ardhur nga qyteza, por edhe nga fshatrat rreth e rrotull. Skuadra e tyre e zemrës, edhe pse tepër e vogël në krahasim me Bajernin, ia doli t’i kënaqte. Dakord, pësoi dy gola, por jo vetëm që nuk u turpërua, por edhe kërkoi kualifikimin deri në fund ndaj klubit numër 4 në botë.

Sandro Vagner e Tomas Myler shënuan për Bajernin në pjesën e parë, dhe Linus Majer shkurtoi diferencën për vendasit menjëherë pas pushimit. Aspak gjë e vogël, pasi përballë ishte një klub me buxhet më pak se 2 milionë euro, dhe një gjigand me buxhet 640 milionë euro, dhe vlerë 3 miliardë dollarë.

Padyshim, bavarezët patën mundësi të shënonin më shumë gola, dhe patën shumë mungesa, por edhe Rëdinghauzeni mund të kishte barazuar, e të kishte fituar të drejtën për të luajtur në “Alianc Arena”. Përfundoi me festë të vërtetë për tifozët e ekipit që ishte mësuar me ndeshje të kategorisë së nëntë, dhe me ankth për kampionët. Bajerni pati edhe një lojtar të dëmtuar, Tiago Alkantarën, ndërsa në minutat e fundit trajneri Kovaç hodhi në fushë edhe një talent me origjinë shqiptare, Meriton Shabanin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!