Gazment Braka i njohur ndryshe si “Gaxhai” i dënuar përjetë për vrasje dhe për krijim organizate kriminale në vitin 1997 është operuar ditën e sotme në spitalin e burgut. Ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në zemër pas problemeve shëndetësore që ka shfaqur.
Historia e bandës dhe përplasjet me Zani Çaushin
Çfarë ndodhi në maj 1997, kërkoi blindat te drejtuesit e Policisë.
Gazmend Braka, së bashku me një grup shokësh nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e “Gaxhait”.
Në funksion të organizimit të kësaj bande të armatosur, shërbejnë dhe faktet që duke pasur si qendër fshatin Cerkovinë, anëtarët e bandës nuk kryenin asnjëherë veprimtari kriminale në atë fshat.
Nga deklarimet e banorëve të fshatit, rezulton se Gaxhai së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, për të krijuar idenë e një grupi të organizuar që mbronte zonën herë pas here, ndihmonte me para njerëzit e fshatit. Gjithashtu, provohet se mjaft shtetas që kishin konflikte me persona të ndryshëm në Vlorë shkonin te Gaxhai në Cerkovinë për t’ua zgjidhur problemet e tyre.
Sulmi ndaj policisë
Më datë 11.05.1997, anëtarët e bandës “Gaxhai”, të organizuar kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Vlorë për të marrë një mjet të blinduar dhe para se të largoheshin kanë vrarë oficerin e Policisë, shtetasin Viron Rrapaj.
Lidhur me këtë ngjarje, gjatë këtij hetimi gjyqësor prokurori arriti të provojë se nga ana e Policisë kishte të dhëna se bandat që vepronin në qytet do të sulmonin komisariatin e Policisë, për të marrë prej aty mjetet e blinduara.
Në fillim, rreth orës 11:00 të datës 11.05.1997, në komisariat kanë shkuar tre-katër persona të armatosur dhe kanë hyrë në fillim tek oficeri i rojës.
Aty njëri prej tyre është prezantuar si Gaxhai dhe ka kërkuar që të merrte kontakt me drejtuesit e Policisë dhe ka kërkuar të merrte blindat për t’u mbrojtur nga Zani. Pas disa minutash, para komisariatit të Policisë erdhën mjaft makina dhe prej tyre zbritën rreth 30- 40 persona të armatosur, të cilët u futën në oborrin e komisariatit. Siç rezultoi edhe nga dëshmitë e dhëna para Gjykatës nga ana e punonjësve të Policisë, të cilët ishin prezentë në ato momente, pjesëtarët e organizatës kriminale kontaktuan me oficerin e Policisë, Haxhi Demirin, i cili u shpjegoi se nuk mund t’i merrnin mjetet e Policisë. Pasi u sqaruan, personat e armatosur u tërhoqën prej komisariatit.
Duke dalë nga oborri i komisariatit, Alfred Nebiu (Kakami) ka parë policin Viron Rrapaj në derën e brendshme të komisariatit dhe ka qëlluar në drejtim të tij, duke e vrarë.
Përveç Alfredit, deklaruesi Ilirjan Beqiri, por dhe persona të tjerë që kanë qenë aty të pranishëm, kanë mundur të njohin nga anëtarët e bandës, të pandehurin Gazmir Braka (Gaxhain), Sokol Sinomatin dhe Armando Sulejmanin, i cili kur u zhvillua ngjarja ka pasur një debat me policin Andrea Kanani (vdekur) për t’i marrë antiplumbin. d.b/Abcnews.al