Qendra Shëndetësore në Zhabjak në Rrogozhinë duhet t’u jepte ndihmë mjekësore më shumë se 1800 banorëve, por godina është kthyer në një gërmadhë. Banorët ose kërkojnë ndihmë në shtëpi duke paguar para ose shkojnë në Kavajë.
E shkatërruar dhe e ekspozuar në qiell të hapur. Kjo godinë është qendra shëndetësore në Zhabjak të Rrogozhinës. Mjeku nuk mund ta veshë dot bluzën e bardhë, sepse e ka mbuluar myku. Normalisht këtu duhet të merrnin shërbimin mjekësor banorët e fshatit, por ata i drejtohen Kavajës. Mure të rrëzuara, të rrethuara nga myku dhe lagështia, tavani i hapur dhe histori me gjarpërinj, tregohen nga infermieri i qendrës, i cili shërben prej shumë vitesh.
“Ne më tepër po shërbejmë nëpër banesa se të bësh një prefuzion, një serum, nuk e mban dot një orë të rrijë aty në këtë lagështirë. Këtë vit, dy herë gjarpri ka hyrë brenda”, tha infermieri Përparim Demiri.
“Një rast kishte hyrë një gjarpër këtu me zor e kemi nxjerrë. Më shumë turp. Sikur me qenë në ‘44-n”, tha një banor.
“Kjo u shërben vetëm gjarpërinjve dhe breshkave që futen nëpër tavana bëjnë foletë edhe laraskat”, tha një tjetër.
Në ditët me shi, ky ambient mbushet me ujë. Godina ndodhet nën nivelin e rrugës.
“Rruga është gjysmë metër, më sipër se kjo. Kjo është në gropë tamam si bunker”, tha infermieri.
Banorët paguajnë për vizita në shtëpi. Pjesa tjetër, janë të detyruar të shkojnë në Kavajë, 15 kilometra larg. Ata kërkojnë ndërhyrjen nga strukturat përgjegjëse.
“Këtu flitet për check up-e, për gjëra, për miliona euro, por këtu shihet gjendja”, u shpreh një banor.
“Është qendër sanitare. Kjo këtu nuk ka asnjë gjë si qendër sanitare. Vetëm një krevat që ke këtu po të rrotullohesh bie poshtë”, u shpreh një tjetër.
Qendra shëndetësore në Zhabjak, si pjesë e njësisë administrative Kryevidh, duhet të mbulojë shërbimin shëndetësor për 1800 banorët e zonës. E ndërtuar për herë të parë, që prej vitit 1974 për këtë godinë asnjëherë nuk është investuar seriozisht. Përpara viteve ‘90, këtu ka funksionuar edhe materniteti, ndërsa sot gjithçka ka mbetur veçse një kujtim. /abcnews.al