Rama në Kukës: Opozita shpif se nuk na mund dot në zgjedhje

schedule22:38 - 30 Tetor, 2018

schedule 22:38 - 30 Tetor, 2018

Kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se opozita nuk e mund dot, e prandaj shpif ndaj qeverisë. Nga Kukësi ku po zhvillon një aktivitet dy ditor me kabinetin e tij, shefi i ekzekutivit foli për projektin e aeroportit e stadiumit të Kukësit, duke nënvizuar se qeveria di të reflektojë kur gabon. Takimet e kësaj të marte në Kukës u shoqëruan me protesta ndaj qeverisë nga mbështetës të opozitës.

Nga Kukësi ku po zhvillon një aktivitet dy ditor me qeverinë, kryeministi Rama zgjodhi t’i përgjigjej akuzave të opozitës duke i konsideruar shpifje dhe shenjë e pafuqisë për të mundur socialistët në zgjedhje.

Edi Rama, kryeministër: “Për fat të keq kemi kundërshtarë që nuk na sfidojnë, por përpiqen të na godasin me mjete që s’janë mjete jo të politikës, por asnjë tradite shqiptare. Kanuni nuk e ka shpifjen mjet për të komuniku apo bashkëjetu me të tjerët. Shpifja nuk konsiderohet si një mënyrë komunikimi as në Kanun, as në Kushtetutë, as në ligj, mirëpo nga ana tjetër duhet ti mirëkuptojnë, nuk ka mundim dot. Ky është problemi, është problem shumë i madh… “Nuk na mundin dot, nuk dinë sesi mund të na mundin dhe i bien vetes, gjithë kohës, janë bërë si ata që thonë, ‘o tani më jep këtë që dua o do hidhem në erë bashkë me ty’. Por në fakt ajo që do ndodhur është se, do hidhen në erë vetë, se ne prapë këtu do jemi”.

Kryeministri e veçoi qeverinë si pjesa e politikës që punon, bën gabime e reflekton pas tyre, siç ishte rasti i Kukësit, për të cilin njoftoi projektin e aeroportit, që e bën këtë zonë jo vetëm një portë dalëse e hyrëse vetëm me Kosovën, por portë hyrëse edhe përmes ajrit.

“Nuk është vetëm aeroporti vetë që do të krijojnë një numër të kosnideruëshem vendesh punë por edhe efekti zinxhir i njohur që një aeroport sjell në ekonominë e një zone të caktuar.
Është realisht një aeroport i ri, pasi do të duhet të zgjatet pista për të mundur të akomodojë të gjitha ato kategori fluturimesh që sipas studimit të bërë janë në potencialin e këtij aeroporti. Do ndërtohet një terminal i ri modern për pasagjerët dhe për të gjitha shërbimet dhe sigurisht do kthehet në një pikë nevralgjike”.

E për kuksianët shefi i qeverisë lajmëroi se në mbledhjen e qeverisë të së mërkurës do të vendoset për financimin e një stadiumi të ri në Kukës.

“Nuk ka lezet për ju kuksianët të shkoni në Elbasan për të parë skuadrën tuaj, se ju nuk jeni as të ballokumeve”.

Në takimin me qytetarët e Hasit mbi platformën e bashkëqeverisjes “shqipëriaqeduam.al”, Rama i dha zë zgjidhjes së një mësuesi të cilit i ishte mohuar vendi i punës, ndonëse rezultonte i pari në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

“Kjo është shkelje e rëndë e ligjit. Kjo do të thotë që ka pasur të tjera arsye. Se çfarë mund ta shtyjë drejtorin e Zyrës Arsimore apo kryetarin e Komisionit që të kryejnë shkelje flagrante. Çfarë i ka shtyrë, krushqia, rryshfeti, këtë le ta zgjidhin me prokurorinë”.

Në dy takimet që Kryeministri zhvilloi në Has e Kukës, u prit me protesta nga mbështetës të opozitës, të cilët hodhën flakadanë dhe shashka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!