Irani, fushatë për eleminimin e elementeve të opozitës

schedule09:06 - 31 Tetor, 2018

schedule 09:06 - 31 Tetor, 2018

Regjimi në Teheran ka nisur një fushatë për eleminimin e elementëve të opozitës iraniane që jetojnë në Europë. Pas Francës, komploti i radhës është zbuluar në Danimarkë, duke detyruar vendin nordik të kërkojë sanksione ndaj Republikës Islamike.

Autoritetet në Danimarakë akuzuan të martën shërbimet iraniane të inteligjencës për organizimin e një atentati në territorin danez, me qëllim eleminimin e një eksponenti kyç të opozitës iraniane. Në një komunikim me mediat, ministri i Jashtëm Anders Samuelson deklaroi se prapa agjentëve iranianë është dora e qeverisë së Republikës Islamike dhe për këtë i bëri thirrje BE-së për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj saj. Komploti për ekzekutimin u zbulua pas një sulmi të ndodhur në një paradë ushtarake të mbajtur në shtator në Iran, ku mbetën të vrarë 25 vetë. Ndërsa më 21 tetor, një shtetas norvegjez me origjinë iraniane i dyshuar si organizator i atentatit në Danimarkë u arrestua në Suedi dhe pritet të ekstradohet në Kopenhagen. Sulmi kishte si shënjestër liderin e degës daneze të Lëvizjes Arabe për Çlirimin e Avazit, e cila kërkon pavarësinë e arabëve etnikë në provincën e pasur me naftë të Kuzestanit, në jug-perëndim të Republikës Islamike.

“Kemi përballë një agjenci iraniane të inteligjencës që po planifikon një sulm në territorin tonë. Natyrisht ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë këtë”, deklaroi Fin Borh Andersen, shef i shërbimeve sekrete daneze. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane reagoi duke i quajtur akuzat përpjekje armiqësore për të dëmtuar marrëdhëniet e Teheranit me Europën në këtë periudhë kritike. BE po përpiqet të shpëtojë marrërveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara që riktheu sanksionet. Por misioni duket se do të jetë i vështirë, pasi të premten e kaluar autoritetet në Francë dëbuan nga vendi një diplomat iranian që kishte përgatitur një atentat të ngjashëm ndaj një mitingu të opozitës iraniane./abcnews.al