16 vite në një ekip nuk janë pak dhe Sergio Ramos nuk i mbajti lotët gjatë lamtumirës nga Real Madrid. Qendërmbrojtësi dhe kapiteni vendosi të ndahet me “Los Blancos”, ekip në të cilin luan prej vitit 2005 dhe ka fituar 22 trofe.
Vetëm Francisco Gento ka fituar më shumë se 35-vjeçari me fanellën e bardhë mbi supe. Fjalën e mori edhe Florentino Perez, presidenti i Real Madrid, i cili vlerëson shumë liderin e këtyre viteve, duke konfirmuar që Ramos është tashmë një legjendë e Realit.
“Jam me të vërtetë krenar për atë që ke bërë dhe ke arritur, je një nga legjendat e Real Madrid. E ke fituar në fushë admirimin dhe respektin e të gjithëve, nuk do të harrojnë kurrë. Faleminderit për gjithçka që i dhe këtij klubi, ke luftuar dhe e ke nderuar fanellën e Realit deri në fund.
Në çdo vend të botës që do të shkosh, ti do të mbetesh gjithmonë njeriu i ‘La Decima’, Champions League së dhjetë. Unë gjithashtu dua të shpreh fjalë dashurie dhe mirënjohje për familjen tënde. Është shumë e vështirë të arrish gjithçka ke arritur ti këtu.
22 tituj në total, të bëjnë bashke me Marcelon, futbollistin e dytë më fitues të historisë së Real Madrid pas Gentos“, theksoi Perez gjatë fjalës së tij. E ardhmja e Sergio Ramos? Katër janë opsionet sipas të përditshmes iberike AS.
Manchester United, Manchester City, PSG dhe Sevilla. Opsioni i fundit është më i vështiri, por asgjë nuk përjashtohet dhe mbrojtësi mund të vendosë të kthehet në shtëpi dhe tek ekipi i zemrës, me të cilin luajti deri në vitin 2005 përpara se të kalonte te Reali. /abcnews.al