Ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë tërheqjen e trupave nga Afganistani, komandanti i forcave amerikane në rajon thotë se ndihma nga aleatët e NATO-s do të jetë thelbësore në ruajtjen e presionit ndaj grupeve terroriste. Ndihma ka mbërritur me dislokimin e aeroplanmbajtëses më të re të Britanisë në Mesdhe. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb bëri një ndalesë në bordin e aeroplanmbajtëses si gazetarja e vetme që udhëtonte me shefin e Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane.
Xhevahiri i kurorës së flotës britanike, aeroplanmbajtësja Mbretëresha Elizabetë, lundroi përmes Detit Mesdhe në udhëtimin e saj të parë në të gjithë botën.
Zërit i Amerikës hyri në bordin e anijes më të madhe të Britanisë me gjeneralin Frank McKenzie, komandantin e lartë amerikan për Lindjen e Mesme, i cili mirëpriti përforcimin e fortë të aleatit në rajon.
“Pra, ky transportues mund të ketë mundësinë të na mbështesë në Operacionin Vendosja e Qëndrueshme në ditët e ardhshme. Ne do të mirëpresim pjesëmarrjen e tyre në këtë operacion nëse ajo do të jetë e mundur dhe e nevojshme”, tha gjenerali McKenzie.
Ajo ndodhet mijëra kilometra larg aeroplanmbajtëses së vetme të Amerikës në Lindjen e Mesme që mbështetë operacionet ajrore ndërsa Shtetet e Bashkuara tërheqin trupat dhe pajisjet e tyre nga Afganistani.
Pra, aeroplanmbajtësja Mbretëresha Elizabetë do të marrë pjesë në luftën kundër terrorizmit, duke intensifikuar operacionet tashmë të ngadalësuara të goditjes së objektivave të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri nga Deti Mesdhe.
“Në ditët e ardhshme ne do të fillojmë përgatitjet për të qenë në gjendje të kontribuojmë në këto misione”, tha kapiteni britanik James Blackmore, komandant i krahut ajror të aeroplanmbajtëses.
“Ne kemi 18 avionë F-35 që i shihni pas nesh tani. Dhjetë prej tyre janë të Shteteve të Bashkuara dhe tetë të Britanisë”, shtoi ai.
Avionët britanikë dhe amerikanë F-35 që sfidojnë gravitetin përbëjnë flotën më të madhe të brezit të pestë të aeroplanmbajtëses në botë.
Pilotët e marinës amerikane duhet të mësojnë një stil të ri nisjeje, duke u ngritur në ajër nga pista e lakuar e aeroplanmbajtëses britanike, në vend të nisjes me katapultë, siç e bëjnë në aeroplanmbajtëset amerikane.
“Të hidhesh me katapultë dhe të kapësh shpejtësinë prej 320 kilometrash në orë brenda disa sekondave është një nisje interesante. Nisja nga pista e lakuar e Mbretëresha Elizabetë është shumë më komode dhe ulja vertikale, pasi t’ia marrësh dorën, është vërtetë mjaft e bukur”, thotë Simon Doran nga grupi britanik për sulmet ajrore në aeroplanmbajtësen Mbretëresha Elizabeth.
Aeroplanmbajtësja Mbretëresha Elizabeth udhëheq një flotilje me gjashtë anije të tjera britanike dhe një nëndetëse që lundron nën ujërat e thella të Mesdheut.
Aeroplanmbajtëses britanike u janë bashkuar edhe një fregatë holandeze dhe një destrojer amerikan, duke e bërë atë një grup të fortë, thotë komandanti britanik Steve Moorhouse.
“Ju shikoni në kuvertën e anijes mbi shpatullat tona divizionin ajror që është gati të shkojë kudo. Pra, bota është një vend dinamik dhe ne mund të shkojmë shpejt në çdo zonë që kërkohet prania jonë”, Steve Moorhouse, komandant i Grupit Sulmues të Aeroplanmbajtëses Mbretëresha Elizabeth.
Nga këtu, Mbretëresha Elizabeth do të patrullojë ujërat e Lindjes së Mesme gjatë rrugëtimit drejt Detit të Kinës Jugore, ku ky demonstrim masiv i forcës perëndimore së shpejti mund të vihet në provë nga anijet kineze./VOA