Tompson vendos rekord të ri në NBA

schedule20:29 - 30 Tetor, 2018

schedule 20:29 - 30 Tetor, 2018

Klej Tompson vendosi një rekord të ri në basketbollin amerikan. Kapiteni i Golden Stejtit shënoi plot 14 kosha tripikësh në ndeshjen ndaj Çikagos.

Iu deshën vetëm 27 minuta, ndërsa duket se gjeti vendin e duhur për të dalë në “kopertinë”.  Klej Tompson tregoi edhe një herë se përse Golden Stejti është superfuqia e paprekshme e NBA-së, pasi theu rekordin e koshave 3-pikësh në një ndeshje, madje me shpejtësi rrufeje.

Kapiteni i kampionëve shënoi 14 tripikësha, për të kaluar rekordin e shokut të tij të skuadrës, Stefën Kërri. Ky i fundit pati 13 realizime ndaj Nju Orlinsit në 7 nëntor të vitit 2016. Tompson nuk mund të kishte gjetur vend më të mirë për të qenë rekordmen, pasi kjo ndodhi në Arenën e Çikago Bullsave, aty ku dikur shkëlqente Majkëll Xhordani.

Numri 11 shënoi gjithsej 52 pikë, duke lënë pas një fillim të dobët të sezonit, ku saktësia e tij kishte qenë tepër e ulët. Golden Stejti fitoi ndaj Çikagos 149-124, madje pa pasur nevojë për kohë shtesë. ndërsa ekipi i trajnerit Stiv Kerr ka luksin që të mbështetet me radhë tek tre yjet kryesorë.

Kevin Durant, Stefën Kërri e Klej Tompson po kombinojnë paraqitjet e mëdha për të përballuar siç duhet një sezon të gjatë dhe të vështirë. Skuadra nga Kalifornia vendosi edhe ajo një rekord të NBA-së, duke shënuar 92 pikë në gjysmën e parë të ndeshjes, më shumë se kushdo tjetër në histori.

Kjo ishte fitorja e shtatë e kampionëve, që kryesojnë Konferencën Perëndimore me bilancin 7-1, duke mbetur favoritë për titull për të tretin sezon radhazi./abcnews.al