Gjatë një vizite pune në komunën e Prishtinës, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj lavdëroi punën e kryetarit të kësaj komune Shpend AHmeti. Por ky i fundit ka përsëritur se ai dhe partia e tij ende kërkojnë rrëzimin e qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komunës së Prishtinës kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp pas një takimi të shkurtër në komunën e kryeqytetit. Haradinaj lavdëroi punën e Ahmetit, duke thënë se shumica e punëve në kryeqytet kanë përfunduar me sukses dhe se kjo është meritë e kryetarit të komunës, për propozimet e tij dhe bashkëpunimin me nivelin qendror.
Shpend Ahmeti i pyetur dhe nga gazetarët, theksoi se partia që ai tashmë drejton Partia Socialdemokrate nuk ka ndryshuar qëndrim përsa i përket rrëzimit të qeverisë Haradinaj. Ahmeti tha se deri tani janë mbledhur 12 firma për largimin e Haradinaj nga posti i kryeministrit pasi nuk pajtohen me pjesën më të madhe të politikave të kësaj qeverie.
Por në fund të fjalës së tij, Ahmeti tha se pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme do të bashkëpunojnë për të mirën e kryeqytetit. Në Komunën e Prishtinës jemi në koalicion me AAK-në, por i kemi rolet e ndryshme, përfundoi ai./abcnews.al