Rruga drejt kalasë së Beratit e amortizuar prej 25 vitesh

schedule21:02 - 27 Tetor, 2018

schedule 21:02 - 27 Tetor, 2018

Muajin që vjen do të nise investimi për rehabilitimin e rrugës drejt Kalasë së Beratit. Prej vitesh rruga që të çonte në lagjen “Kala” ndodhej në gjendje të mjerueshme. Në këtë aks rrugor lëvizin çdo ditë turistë të thuaj dhe vendas.

Në këtë rrugë nuk është vënë dorë prej 25 vitesh. Aksi rrugor nga hyrja e qytetit të Beratit deri në lagjen muzeale “Kala” të ofron gropa pa fund. Totalisht i amortizuar, ka rrëshqitje të rrugës në të gjithë gjatësinë e saj.

Shtimi i turistëve vitet e fundit e bëri akoma më të vështirë qarkullimin në këtë zonë. Lëvizja e autobusëve në një rrugë të ngushtë bëhej shkak për bllokimin e saj. Kryebashkiaku i Beratit pranoi gjendjen e vështirë, por dha lajmin e mirë që muajin tjetër do të nisë investimi për këtë aks rrugor.

“Do jetë një rrugë me tërë parametrat. Do jetë me dy kalime të plota, për mjete edhe të gjatësisë së madhe, për autobusa 55 vendësh. Do ketë trotuare në të gjiuthë gjatësinë e vet. Mjaftonte 10 autobuss në qafën e “Kalasë” dhe qarkullimi bllokohej. Tashmë me këtë investim rruga nuk do të bllokohet”, u shpreh Petrit Sinaj.

Vlera për rehabilitimin e rrugës kap shifrën e 3 miliardë lekëve ndërkohë që me një tjetër donacion nga BERZH do të investohet edhe në lagjet muzeale “Goricë” e “Mangalem”./abcnews.al