Formimi i tij profesional, vlerësimi i Kryeministrit Rama dhe ajo që nën zë thuhet mbështetje e ndërkombëtarëve duket të jenë arsyet e zgjedhjes së emrit të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.
Gjenerali me karrierë të gjatë ushtarake Sandër Lleshi, do të jetë në krye të ministrisë se Brendshme. Pas publikimit të lajmit nga vetë kryeministri Rama për emërimin e Sandër Lleshit si pasues i Fatmir Xhafës, bashkë me emrin lidhet dhe background i kësaj figure. Ky emërim mesa duket vetëm sa shton vlerësimin e Kryeministrit Rama për figurën e Sandër Lleshit.
Kjo pasi që në vitin 2012, emri i tij u propozua nga Edi Rama si kandidat për President i Republikës, por që nuk u pranua nga mazhoranca e asaj kohe, PD-LSI. Pas ardhjes së socialisteve në pushtet, në 2013-n Rama e zgjodhi Sandër Lleshin këshilltarin e tij për mbrojtjen. Me një karrierë të lartë në ushtrinë shqiptare, në 2010-n Sandër Lleshi u emërua në postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”. Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Arsimin e të tij në fushën ushtarake, Sandër Lleshi e fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake. Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani.
Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-n përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA./abcnews.al