Tre ditë nga zgjedhjet brenda partisë për postin e kryetarit të PD-së, Edith Harxhi ishte në Malësi të Madhe ku kërkoi mbështetjen e demokratëve për t’i besuar drejtimin e së djathtës shqiptare.
Ish-zv/ministrja e Jashtme kërkoi hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit duke filluar nga PD, që sipas saj brenda ka anëtar të ish-sigurimit të shtetit.
“Ka boll partia jonë ish anëtar të sigurimit të shtetit. Duhet të fillojë hapja e dosjeve të sigurimit të shtetit, nga partia jonë njëherë. Nuk duhet të kenë funksione të larta në parti, poste drejtuese” tha ajo.
Bashkimi, tha më tej Harxhi, është mënyra e vetme që PD të vijë në pushtet. “Humbja e fundit na ka krijuar probleme shumë të mëdha, anëtarësia është dëshpëruar, 8 vite në opozitë, kjo qeveri vazhdon të vendosë gjoba.
Shikoni si kanë filluar me u ra investimeve në bregdet. Në mënyrë që të fitojmë një palë zgjedhje normale duhet të bashkohemi” tha ajo.
Gjatë fjalës së saj, Harxhi sfidoi sërish Lulzim Bashën duke thënë se SHBA i ka refuzuar vizën. “Nëse nuk është e vërtetë Basha le të ngrihet dhe ta përgënjeshtrojë, po pres dy javë.
Ka 4 vite që nuk ka shkuar në SHBA prej 2017, ka tentuar disa herë, ka pasur disa ftesa, unë këtë përgjigje kam, Basha se të dalë dhe ta përgënjeshtrojë” tha ajo.
Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor. d.b/ Abcnews.al