Raporti i Mynihut për Sigurinë: Kina – partnere, rivale apo të dyja bashkë?

schedule11:16 - 9 Qershor, 2021

schedule 11:16 - 9 Qershor, 2021

Perëndimi ndodhet në konkurrencë sistemesh, sidomos me Kinën. Por sfidat globale si klima apo armatimi kërkojnë bashkëpunim. Raporti i Sigurisë i Konferencës së Sigurisë në Mynih kërkon një ekuilibër të shëndetshëm.

Koha e publikimit është zgjedhur mirë. Presidenti amerikan, Joe Biden viziton Europën në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit. Fillimisht ai merr pjesë në samitin e G7 në Angli, pastaj në samitin e NATO-s në Bruksel, ku takohen liderët kryesorë të aleancës ushtarake së bashku, para se Joe Biden dhe Vladimir Putin të takohen në Gjenevë. Në sfondin e kësaj diplomacie të nivelit të artë, Konferenca e Sigurisë në Mynih publikon Raportin për Sigurinë. “Ndërmjet dy gjendjeve – konkurrencës dhe kooperimit” një raport 160 faqësh. Që në titull kuptohet dilema kryesore: Demokracitë perëndimore po sfidohen nga Kina. Në të njëjtën kohë të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën. Jo vetëm si partnerë ekonomikë, por edhe për të kapërcyer sfidat e mëdha globale. Pandemia e Coronës është vetëm një shembull konkret, por edhe ndryshimi i klimës dhe një garë kërcënuese nukleare e armatimit – të gjitha thirrje për bashkëpunim. Se sa ambivalente është marrëdhënia me Kinën, tregohet në qëndrimin zyrtar të BE, kur Kina përmendet njëkohësisht edhe si partner strategjik edhe konkurrente.

Kina si sfidë

Komunistët operues si kapitalistë ia dolën aty ku dështoi Bashkimi Sovjetik: kombinimi i sundimit autoritar me suksesin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së popullit. Edhe për këtë arsye dëgjohet në fjalimet e Joe Biden, fjalia me tingëllim mbrojtës: “Ne duhet të tregojmë, që demokracitë në këtë botë të ndryshuar mund të arrijnë diçka për njerëzit tanë.”

Është e qartë, që një vend me 1,4 miliardë banorë që për katër dekada me radhë rritet ekonomikisht me numra dy shifrorë, në një moment të caktuar këtë fuqi ekonomike do ta përkthejë në influencë politike, e në fund edhe në fuqi ushtarake. Pekini i ka vënë vetes qëllime ambicioze: Deri në jubileun e 100 të themelimit të Republikës Popullore, në vitin 2049 Kina do të jetë një fuqi e fortë moderne, socialiste, ajo dëshiron të përcaktojë rregullat dhe të formësojë, si edhe të jetë në nivelin më të lartë teknologjik, ekonomik e kulturor. Pra një superfuqi.

Perëndimi bëhet bashkë

Raporti i Sigurisë së Mynihut përcakton, se ndërkohë demokracitë liberale e kanë vullnetin të mbrohen të vendosura kundrejt konkurrencës iliberale. Tobias Bunde, drejtor studimor i Konferencës së Sigurisë në Mynih, një nga autorët kryesorë të studimit, citon Joe Biden para publikimit të raportit. “Ne jemi në një pikë kthese. Dhe demokracitë e botës duhet të bëhen bashkë.” E kjo duket se po ndodh. Bunde identifikon një “konsensus të arritur nga krerët transatlantikë të shteteve e qeverive, se bashkëpunimi mes demokracive më të rëndësishme të botës duhet të përforcohet për të kapërcyer sfidat tona të përbashkëta.”

Tek këto sfida bën pjesë, sipas studiuesit, Tobias Bunde, edhe vënia gjithnjë e më shumë në pikëpyetje e hegjemonisë ideore të Perëndimit në institucionet ndërkombëtare. “Ende para disa vitesh ne flisnim për koncepte si “‘përgjegjësi për të mbrojtur’ dhe për triumfin përfundimtar të të drejtave të njeriut majde në vetë vendet arabe”, thotë Bunde. “Sot Kina mobilizon pa problem disa vende që e mbështesin politikën e Kinës në Ksinjang apo Hongkong.”

Indo-Paqësori si vatër e nxehtë

Hapësira e Indo-Paqësorit zë një vend qendror në raport. Jo vetëm sepse ky rajon sjell 60% të vëllimit ekonomik global dhe dy të tretat e rritjes ekonomike. Për studiuesen dhe autore e raportit, Sophie Eisentraut është e qartë: “Ne fokusohemi tek rajoni paqësor indian, sepse ndërkohë shumë janë të mendimit, se ky nuk është vetëm një rajon, ku bëhet fjalë për stabilitet, por edhe një rajon, në të cilin do të vendoset forma e rendit ndërkombëtar në dekadat e ardhshme.”

Ky leksion po reflekohet edhe në politikë konkrete. Në fillim të qershorit u kthye nga një vizitë nga Indonezia, i ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, ku ai u takua me ministrin indonez të Mbrojtjes, Prabovo Subianto. Borell shfaqi gatishmërinë e BE të zgjerojë bashkëpunimin me organizatën ASEAN, një aleancë ndërkombëtare e shteteve aziatiko-jugore me qendër në Xhakarta, sidomos në aspektin e sigurisë detare. Borrell theksoi në Xhakarta, se BE ka interes, që rendi rajonal të mbetet i hapur dhe i bazuar në rregulla, dhe BE mund të japë një kontribut të rëndësishëm këtu. “Nëse ne duam të jemi aktorë global, duhet që të perceptohemi dhe si aktorë politikë dhe të politikës së sigurisë në rajon, jo vetëm si partnerë në bashkëpunimin në zhvillim, tregti apo investime”, shkroi Josep Borrell më pas në blogun e tij.

Në Raportin e Sigurisë thuhet se nga europianët priten më shumë përpjekje për t’u bërë “të aftë për politikë botërore”, siç është cituar aty ish-presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Në Berlin ecet me hapa të kujdesshëm në këtë drejtim. Në fund të majit, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Anngret Kramp-Karrenbauer udhëtoi në Korenë e Jugut për të përgatitur misionin e Bundeswehrit, Fregatte Bayern në Paqësor. Kramp-Karrenbauer qëndroi edhe në Guam, ishullin që mban një nga bazat më të rëndësishme amerikane në rajonin e Paqësorit, dhe që do të ishte një objektiv potencial sulmi në një rast lufte të Kinës kundër SHBA. Që në fillim të prillit, ajo u shpreh për mediat gjermane lidhur me dërgimin e fregatës së Bundeswehrit në Paqësor. Gjermania nuk flet vetëm për lirinë e rrugëve detare, që kërcënohen nga Kina. Gjermania është e gatshme të bëjë diçka për këtë.

Uniteti ende temë e hapur

Raporti i ri për Sigurinë kërkon nga Europa dhe Amerika Veriore të përfshijnë më shumë partnerët e afërt në qëndrime. Vetëm nëse bashkëpunimi liberal-demokratik, perceptohet si më i gjerë, ai mund të rezistojë në konkurrencë me sistemet autokratike, shkruajnë autorët e studimit. Por fillimisht europianët duhet të bashkëpunojnë njëherë vetë mes tyre, shkruan kreu i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Wolfgang Ischinger. “Zhvillimi i një politike të jashtme të sigurisë jo vetëm kundrejt Kinës dhe Rusisë, por natyrisht, edhe kundrejt partnerëve tanë transatlantikë është, sipas mendimit tim, kërkesë e kohës absolutisht e nevojshme për të ardhmen. ”

Kjo është edhe më e vështirë, kur raporti parashikon ura të vështira mes poleve bashkëpunim dhe konnkurrencë por edhe rrezikun e konfrontimit. “Për t’i dalë zot sfidave të njerëzimit, duhet që partnerët transatlantikë të gjejnë me shtete të afërta në qëndrime balancën e duhur mes këtyre gjendjeve: Për të zvogëluar rreziqet globale duhet që ata të bashkëpunojnë edhe me autokracitë, dhe aty ku parimet demokratike vihen në rrezik nuk duhet që t’i druhen garës me konkurrencën iliberale.”/DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!