Thomas Brdaric është kthyer në një nga trajnerët më të kërkuar në merkato. Gjermanin e duan edhe në Kosovë, ku Ballkani i ka bërë një ofertë mjaft të mirë në aspektin financiar.
Madje ajo mund të jetë edhe më e mira. Gjithsesi Vllaznia nuk e ka mbyllur ende bashkëpunimin me Brdaric, i cili do të ketë një takim me drejtuesit e Vllaznisë pasditen e sotme.
Pasi gjermani të ulët në tavolinë me sponsorin Alban Xhaferi dhe drejtuesit e tjerë të klubit shkodran, pritet të ketë edhe një ide më të qartë për të ardhmen e tij.
Brdaric po mban peng edhe Kukësin. Pero Pejic, i cili po merret me merkaton e klubit verilindor, ka ndjekur ditën e djeshme ndeshjen Flamurtari-Tërbuni dhe gjatë saj ka marrë një telefonatë.
Abcnews.al zbardh një pjesë të asaj që Pejic tha gjatë komunikimit në telefon. “Nesër (sot) ka një takim me Vllazninë në orën 16:00. Pas takimit na kthen një përgjigje përfundimtare”, është shprehur Pejic.
Biseda lidhej pikërisht me Thomas Brdaric, i cili është një objektiv edhe i Kukësit. Verilindorët kanë mbetur pa trajner, pasi mbyllën bashkëpunimin me Mirel Josën. v.p/ abcnews.al