Rrugët e Lezhës që po marrin jetë, në 6 muaj 11 viktima, banorët: Ky as kryq nuk është, për skedinë

schedule15:48 - 6 Qershor, 2021

schedule 15:48 - 6 Qershor, 2021

Nga Gjergj Figuri

Përgjatë një viti, nga Miloti deri në Shkodër superstrada është përgjakur thuajse ne çdo km të saj.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Lezhë janë regjistruar 47 aksidente nga të cilat janë shënuar 11 viktima, 9 persona janë plagosur lehtë dhe 52 të tjerë.

Shkaqet janë të shumta, por mbi të gjitha, vetë rruga nuk plotëson asnjë standard. Specialisti i transportit rrugor dhe infrastrukturës Ernest Marku shpjegon arsyet dhe shkaqet që kanë çuar në këtë numër të lartë aksidentesh. Sipas tij nëse për superstradën Lezhe – Milot mund te ndërhyhet në ndërtimin e rrugës së re, për pjesën nga Lezha deri në Shkodër nuk ka ende asnjë zgjidhje.

“Lezhë-Milot ka një problematikë tjetër,. Rruga është më e drejtë. Fushëpamja është e mirë. Natën rruga nuk ka ndriçim. Ky segment do ngelet e tillë edhe pas investimit, duhet të mbyllet njëherë e mirë”.

Drejtuesit e mjeteve i njohin kryqëzimet e rrezikshëm, që kane shkaktuar jo pak viktima. Por thonë se shteti duhet të ndërtojë mbikalime, nënkalime e rreth-rrotullime.

“Kush me e venë? Të vdekurit? Ky është turpi i botës. Është gjynah të mos bëhet një mbikalim. Ky as kryq nuk është, është në formë iksi. Për skedinë”, shprehet drejtuesit e automjeteve.

Janë të shumtë kryqëzimet apo degëzimet e rrugëve sidomos në Tale, Rrile, Shëngjin, Kakarriq, Gjadër e Dajc që janë një rrezik i lartë për aksidente. Specialisti Ernest Marku flet për njërin prej tyre por duke bërë të ditur se në këtë gjendje janë disa.

Gjate stinës së verës rreziku bëhet edhe më i madh ndërsa policia rrugore e ka akoma më të vështirë që të jetë në çdo km të superstradës. /Abcnews.al