Basha dhe Balla përplasje në parlament

schedule20:31 - 9 Nëntor, 2017

schedule 20:31 - 9 Nëntor, 2017

Kryeopozitari Lulzim Basha nga foltorja e parlamentit ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama se e ka sjellë krimin në pushtet. Në përgjigje Taulant Balla akuzoi opozitën për mungesë përgjegjësish.

Kriminaliteti në Shqipëri ka arritur një stad tjetër – ishte kjo këmbana e alarmit që nga foltorja e parlamentit njoftoi kryeopozitari Basha.

“Aktivitetet kryesore kriminale në Shqipëri, nuk zhvillohen më në parcelat mes maleve, por në sheshet e ndërtimit dhe në bankat në qendër të Tiranës. Riciklimi dhe pastrami i paravedhe kapja e ekonomisë është sot objektivi dhe aktiviteti kryesor i grupeve kriminale që u fuqizuan dhe pasuruan nga trafiku i drogës. Kjo është faza ku ka hyrë krimi në Shqipëri. Shqiptarët e kanë provuar Ramën me dhjetra herë. Prova e tij është Elvis Roshi, prova e tij është Klemend Balili, prova e tij është Saimir Tahiri, është Agron Xhafa, është dyshja Dako-Çela, Qazim Sejdini. Për të mos folur për Ilir Beqen, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn me shokë”.

Si përgjigje, edhe pse kolegun demokrat nuk e kishte në sallë, numri dy i socialistëve Taulant Balla provoi të përdorte rastin e Elvis Roshit në favor të Partisë Socialiste.

“Elvis Roshi po, ne e shkarkuam, kryeministri e shkarkoi. Bëni dhe ju si ne, shkarkojeni e lereni popullin e Mallakastrës të mos drejtohet nga ai kryetar bashkie hajdut”.

E megjithatë tjetër ishte emri që ashpërsoi tonet.

“Nipi i Klement Balilit është kryetar i Bashkisë së Delvinës i propozuar nga LSI. Apo se LSI sot është në krahun tuaj dhe ky qenka i PS? Jo mor jo s’ka lidhje fare me Partinë Socialiste. S’ka fare lidhje me PS. Mund ta pranonim përgjegjësinë kur ishim në koalicion me LSI-në, por nuk e pranojme dot përgjegjësine sot”.

Lulzim Basha vuri në punë shprehjen e vetë kryeministrit, si për t’ia drejtuar ndërgjegjes qytetare.

“Nuk është rastësi, që paratë e dokumentat që nuk donte t’ja kapte prokuroria, Saimir Tahiri ia dha në ruajtje një biznesmeni, i cili qarkullonte me atumjetin e një biznesmeni tjetër. Të dy kanë marrë tendera publike nga Saimir Tahiri. Nuk është rastësi që Qazim Sejdini ka një agjensi doganore që po hetohet për trafik droge. E me rradhë, befas kanë pasion për bankat, e në veçanti me ato në pronarë off-shore. Nëse kjo vazhdon, me të vertetë nuk kemi parë gje akoma. Çdo gjë do të thellohet me projektin”1 miliard”, një projekt kriminal, që do të shkrije në 1 krimin, biznesin dhe politikën”.

Taulant Balla përdori pikën e rendit të ditës.

“Ti nuk do kishe folur në këtë pikë të rendit të ditës, se ti me rrugët ke konflikt interesi. Sot po miratojmë një rruge 94 km që na kushton 70 milionë dollare. Ti do të mbahesh mend si i vetmi njeri në botë që ke hapur procedurën për të ndërtuar një rrugë 62 km me 1 miliard euro. ”

Zgjidhjen e frontit opozitar e përsëriti sërisht.

“Largimi i krimit nga pushteti do të fillojë vetëm ditën kur Edi Rama të largohet nga zyra e kryeministrit”.

Por sekretari i përgjithshëm i socialistëve artikuloi tjetër ide.

“E meqë na jeni bërë bashkë me LSI-në, hajd pra, a doni zgjedhje? Hajde ta provojmë njeherë në Mallakastër. Ne vetëm, ju të gjithë bashkë”.

Taulant Balla vijoi sulmet politike ndaj opozitës por edhe prokurorisë, tema të cilat opozita i etiketon si zhurmues për mbytjen e skandalit Habilaj-Tahiri./abcnews.al

 

https://youtu.be/_t4zTuh-tf4

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!