Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti ka reaguar për sekuestrimin e 400 kilogramëve kokainë pak ditë më parë në këtë komunë. Ahmeti u shpreh se droga do duhej të sekuestrohej në doganë në Shqipëri ose Kosovë dhe jo në Lipjan.
“Nuk jam ndjerë mirë, është shndërruar në batutë [rasti i kapjes së 400 kilogramëve të kokainës]. Por, a thua a nuk ka mundur të ndalet në doganë të Kosovës ose Shqipërisë.
Të gjitha informacionet flasin se shërbimet e kanë përcjellë, dhe kanë mund me e ndalë, kanë pas mundësi mos me e lejuar fare me ardhur. Se cila ka qenë prapaskena nuk e kam idenë, por unë mendoj se qytetarët e Lipjanit nuk duhet të fajësohen e as të etiketohen, as me batuta, është diçka jashtë dëshirës, dhe vullnetit të qytetarëve”, tha Ahmeti.
Gjykata Themelore e Prishtinës u ka caktuar 30 ditë paraburgim shtatë personave që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e trafikimit të 400 kilogramëve kokainë. Sasia prej 400 kg kokainë nga Amerika Latine, përfundoi në Lipjan përmes portit të Durresit.
Sasia ishte fshehur brenda një kamioni me mish, që po transportohej nga Brazili. Në hetimin e rastit të kokainës kanë bashkëpunuar ngushtë Policia e Italisë, Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale në Kosovë dhe SPAK në Shqipëri./ Gazeta Ekspres