Juventusi dominoi Junajtidin në “Old Traford”

schedule12:58 - 24 Tetor, 2018

schedule 12:58 - 24 Tetor, 2018

Juventusi cilësohet si favorit për fitopren e Championsit, pas suksesit në “Old Traford”. Kampionët e Italisë duken shumë të fortë me Kristiano Ronaldon.

Kristiano Ronaldo vendosi të bashkohej me këtë skuadër pasi një ndeshjeje kundër saj në Champions.

Portugezi u bind për të shkuar tek Juventusi, pasi ishte dëshmitar se kampionia e Italisë dominoi Realin e tij në “Bernabeu” siç nuk kishte bërë askush tjetër.

Kjo kampione e Serisë A bëri një “deklaratë lufte” ndaj gjithë Europës në sfidën e luajtur në një tjetër stadium të famshëm, në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit.

Nuk ishte edhe aq fitorja, thjesht minimale 1-0, por sidomos mënyra e lojës së italianëve që tregoi se formacioni i Masimiliano Alegrit dhe i Ronaldos mund të quhet favorit për të fituar Championsin këtë sezon.

Dominimi në pjesën e parë ndaj një skuadre të Zhoze Murinjos ishte thjesht çarmatosës, ndërsa Juventusi bëri të dukeshin gjëra të thjeshta, edhe kombinimet më të vështira.

U duk sikur po luante Barcelona e kohëve të bukura, Ajaksi i dikurshëm apo Milani i holandezëve.

Alegri: “E dinim se duhej të luanim shumë mirë ndaj një skuadre shumë të fortë fizikisht si Junajtidi, dhe në topat e lartë. Mendj se zhvilluam një pjesë të parë fantastike, dhe ndoshta duhej të kishim shënuar më shumë. Në pjesën e dytë bëmë disa gabime, por sërish ishim mirë. Jam shumë I kënaqur me lojën në mbrojtje dhe nivelin teknik”.

Mançester Junajtidi nuk është se nuk u përpoq, por nuk ishte aq i mirë, edhe pse luante përballë gati 75 000 tifozëve të tij.

De Gea, Jang, Shou, Pogba, Matiç e Mata u përballën me kundërshtarin, por nuk është e lehtë që një javë të grindesh në “familje”, dhe javën tjetër të dalësh në fushë për t’u përballur me një rival kaq të fortë.

Murinjo: “Luajtëm përballë njërit prej kandidatëve më të fortë për të fituar Championsin, dhe dhamë maksimumin. Që kur u hodh shorti, e dinim se duhej të luanim për vend të dytë me Valencian. Ne jemi pak si shumë prapa Juventusit, që është në nivel tjetër cilësie, stabiliteti, përvoje dhe njohurie. Juventusi ka fituar shumë, por sërish kërkon, dhe klubi mori ata që deshi, mori Ronaldon, Bonuçin”.

Mediat nuk patën aspak vështirësi në analizat e tyre.

“La Gazeta delo Sport”: Zonjë e Europës! Juventusi dominon, Dibala shënon, triumf në “Old Traford”!

“Il Korriere delo Sport” bën lojë fjalësh, me titullin “Maksimumi special”, por që mund t’i dedikohet edhe trajnerit Masimiliano Alegri, pra “Speciali Maks”.

“Tutosport”: Shumë e bukur! Juventusi, pardon në “Old Traford”.

“Deili Meil” raporton fjalët e ish-yjeve të Junajtidit, Skouls e Ferdinand: Kishte një diferencë të madhe në klas, dukej sikur po luanin burra kundër djemve të vegjë”!

“BBC” bën analizën: Përse Juventusi mund ta fitojë Championsin, dhe Junajtidi, jo!

Fitoi pra Juventusi dhe Ronaldo, ndërsa e vetmja notë negative për Kristianon ishte mungesa e golit, diçka me të cilën nuk ishte mësuar në Madrid, por që duket se po ambientohet në Torino.

Në moshën 33-vjeçare, dhe në një skuadër të ndërtuar ndryshe, nuk mund të jetë i njëjti protagonist si gjatë gjithë karrierës.

Tashmë për portugezit rëndësi ka të fitojë dhe të shkojë drejt trofeut që e ka zotëruar me Realin për 3 sezonet e kaluara me radhë.

Juventusi dëshiron të njëjtën gjë, të fitojë Championsin, gjë që e ka bërë për herë të dytë dhe të fundit në 1996. /abcnews.al