Tomas Strakosha e Ledian Memushaj po kalojnë një sezon shumë të mirë në Itali. Portieri i kombëtares pëlqehet nga Interi, ndërsa mesfushori synon të ngjitet sërish në Serinë A. Kombëtarja është një gjë, paraqitja në klube diçka tjetër.
Të paktën, kanë qenë me fat në skuadrat e tyre lojtarët shqiptarë në Itali, ku veçohen Tomas Strakosha dhe Ledian Memushaj. Portieri që, aktualisht, është numri 1 i ekipit përfaqësues, jo vetëm që vazhdon të bindë me lojën e tij, por edhe kërkohet nga emrat e mëdhenj të Serisë A. Informacioni është që për 22-vjeçarin po interesohet Interi.
Portieri titullar i milanezëve, Samir Handanoviç, mbush 35 vjeç vitin tjetër dhe klubi dëshiron të gjejë një pasardhës. Portieri shqiptar është në një listë të gjatë emrash, ku janë edhe Areola i Paris SG, Cilesen i Barcelonës apo Lafont i Fiorentinës. Emri tjetër i dalluar në Apenine është Ledian Memushaj. Veterani i mesfushës, synon të kthehet përsëri në Serinë A, aty ku ishte dy sezone më parë në radhët e Peskarës.
Memushaj po shkëlqen, duke qenë sërish tek Peskara, me të cilën është në krye të Serisë B. Ekipi i vlonjatit ka 18 pikë dhe nuk njeh humbje deri tani, ndërsa shqiptari vërtet nuk ka shënuar, por ka krijuar plot katër gola. Edhe pse jo i ri në moshë, sërish Memushaj po tregon veten në Itali, ashtu siç po bën në kombëtare, ku u thirr përsëri nga trajneri Kristian Panuçi./abcnews.al