Rruga e re e shqiptarëve për në Angli, deputetët holandezë i frikësohen rastit “Calais”

schedule19:24 - 22 Tetor, 2018

schedule 19:24 - 22 Tetor, 2018

Deputetët e parlamentit holandez janë të shqetësuar në lidhje me situatën e emigrantëve në qytetin Moerdijk. Ata frikësohen se ky vend mund të shndërrohet njësoj si rasti i qytetit francez të Calais, ku emigrantët tentojnë të kalojnë për në Angli.

Prej kohësh, mediat holandeze kanë treguar se si emigrantët shkojnë në Moerdijk, qëndrojnë atje dhe përpiqen të fshihen nëpër kamionë që të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e tyre janë shqiptarë. Situata arriti deri aty saqë kryebashkiaku i Moerdijk i nisi një letër ministrit të Sigurisë dhe Drejtësisë. Kohët e fundit ministri ka vizituar bashkinë dhe tha se problemi ka të gjithë vëmendjen e të gjithë partive në vend.

Tashmë sipas disa anëtarëve të parlamentit problemi i Calais ka filluar të shfaqet në Holandë mirëpo sipas sekretarit të Sigurisë nuk ekziston ky rrezik. Në qytetin francez shkojnë shumë emigrantë çdo vit. Synimi i tyre është të kalojnë në Britani. Pak kohë më parë situata u agravua aq sa shumë shoferë kamionësh kishin frikë të kalonin aty. U desh ndërhyrja e qeverisë franceze që problemi të reduktohej.

“Holanda vëzhgon me kujdes çështjen e emigrantëve dhe po diskutojmë nëse duhen masa shtesë”, thotë Mark Harbers, sekretari holandez i Shtetit për Siguri dhe Drejtësi.

Shpesh është raportuar sesi shqiptarët që duan të shkojnë në Britaninë e Madhe kanë gjetur “shtegun” e ri në Moerdijk. Gati çdo ditë, ata përpiqen që të ngjiten në kamionë në autostradë. Ky është një vend i përshtatshëm pasi mund të fshihen lehtësisht në kamion dhe më pas të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Mediat kanë shkuar deri në fushat e misrit ku ata qëndrojnë. Aty dallohen shishet plastike dhe mjete të tjera që shqiptarwt përdorin për të kaluar natën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!