Armand Duka e ka shprehur gjithmonë që është tifoz i Vllaznisë në Shqipërisë. Sonte sigurisht që ka ndjerë emocione në momentin që u ka dhuruar kuqebluve medaljet dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Presidenti i FSHF-së foli për Supersport pas përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë, të cilën Vllaznia e fitoi 1-0 ndaj Skënderbeut. Kreu i futbollit shqiptar u ndal edhe te gara e fortë për titullin kampion, arbitrat dhe sezoni i ardhshëm.
FINALJA – “Ishte e gjitha një garë e bukur, aq më tepër ishin dy skuadra të mëdha dhe simpatike në futbollin shqiptar. Vllaznia është djepi i futbollit dhe më bëhet qejfi që mori një trofe. Vllaznia meritoi më shumë këtë sezon, por nuk do të thotë të marrë trofeun vetëm për emrin që ka. Ata kanë pasur organizim gjatë gjithë vitit dhe kanë zhvilluar sezon mjaft të mirë”.
SEZONI – “Kryesisht ka qenë kompeticion me shumë garë, kemi parë që deri në javën e fundit ishte gara e hapur për titullin. Ishte ndër kampionatet më të luftuar dhe më të bukur, ajo që e mundoi garën ishte periudha e pandemisë. Impenjimi i skuadrave në prani të tifozëve ishte më i madh”.
ARBITRAT – “Ka pasur më pak ankesa këtë sezon? Nëse ky është konstatim, më vjen mirë. Nga të gjithë sportdashësit cilësohet si progres në arbitrim, është mjaft i rëndësishëm si komponent brenda lojës, por nuk mendoj se gjykimi do të jetë ndonjëherë i padiskutuar. Vitin e ardhshëm do të kemi dhe teknologjinë VAR dhe shpresoj t’i afrohemi 100%”.
GARA PËR TITULLIN – “Realisht titulli mund të ndahej mes katër pretendenteve pa pishman, mund ta fitonin të gjitha, por ky është futbolli dhe çdo gjë ndahet me një gol, ashtu siç u pa edhe në finalen e sotme të Kupës”.
SEZONI I RI – “Unë uroj që kampionati tjetër të fillojë me tifozë dhe të kemi sa më pak prani të virusit. Futbollistët të trajnohen mirë dhe të kemi një kampionat të bukur. Jam shumë i sigurt se një nga 10 skuadrat do të dalë kampion”. /abcnews.al