Kastrioti përballet nesër me Tomorin, prej orës 16:00, dhe trajneri Ramazan Ndreu me shumë mundësi do të jetë në stol, pasi pritët të paguajë gjobën për të shlyer pjesën e mbetur të dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës.
Tekniku i krutanëve, fillimisht ka deklaruar: “Absolutisht nuk e kishim menduar që mbijetesa jonë do vendosej me ndeshje shtesë. Ndoshta në fillim të kampionatit, po, por me zhvillimin e dy fazave të parë ishim mirë. Gjithsesi ja pra që futbolli të çon në play-off”.
“Çfarë nuk shkoi? Në janar e prapa na kanë munguar tre lojtarë kryesorë, boshti i skuadrës. Na ka munguar Boyom, një lojtar me eksperiencë dhe shumë i rëndësishëm për ne. Hussein gjithashtu, si dhe Devid që u dëmtua pastaj. Jemi skuadër me pak lojtarë dhe mungesa e tyre na ka dëmtuar shumë”.
“Tomori? Më ngroh rikthimi i Hussein dhe Devid. Skuadra është e plotë, veç Boyom. Niveli nuk na mungon. Kemi punuar psikologjikisht, që lojtarët ta vlerësojnë Tomorin si Teutën kampione. Është një ndeshje teke dhe duhet dhënë maksimumi.
Nuk duhet menduar se kemi një skuadër inferiore, e Kategorisë së Parë. E kam ndjek Tomorin në 2-3 takime dhe më ka pëlqyer shumë. Jo më kot është në play-off. Do marrë vlerësim maksimal nga ne si staf dhe lojtarët, që ta kalojmë me sukses edhe këtë pengesë të fundit”.
“As nuk dyshoj e as nuk e mendoj që do të ndikojë arbitrimi në këtë ndeshje. Është një duel ku arbitri do jetë i drejtë. E kam parë Tomorin, luan futboll dhe ka grintë. Gjithsesi ne jemi skuadër e Superiores, kemi nivel. Nëse e bashkojmë me shpirtin e garës, me dëshirën për fitore, do ia dalim, për të treguar që e meritojmë në Superiore”. /abcnews.al