Laboratori në Has, identifikohen disa persona të përfshirë

schedule15:08 - 20 Tetor, 2018

schedule 15:08 - 20 Tetor, 2018

Policia e shtetit vijon aksionin për kapjen e personave përgjegjës për ngritjen dhe funksionimin e laboratorit të përpunimit të heroinës në zonën e Hasit. Aktualisht mësohet se grupi hetimor ka arritur të identifikojë dhe të paktën 5 persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme, në ndjekje të të cilëve është vënë që prej së premtes.

Prej më shumë se 24 orësh, Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë partnere është duke vijuar operacionin anti-drogë, që zbuloi një laborator të përpunimit dhe prodhimit të heroinës në Brenog të Hasit. Për shkak të dinamikës dhe rëndësisë së operacionit dhe shtrirjes së tij edhe jashtë Shqipërisë Policia ka zgjedhur të mos ndajë asnjë informacion zyrtar për detaje mbi sasinë e drogës së sekuestruar apo identitetet e personave të arrestuar. Ndonëse u paralajmërua një konferencë e përbashkët për median në të vetmin reagim të bërë të premten nga Policia e Kukësit, mësohet se ajo nuk do të mbahet gjatë ditës së shtunë.

Ndërkohë që vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e të paktën 5 personave të tjerë të identifikuar të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, në kapanonet e shndërruara në laborator në Has ka rënë qetësia. Burime jozyrtare konfirmuan se ekspertët e policisë kanë administruar dhe mbajtur procesverbale për të gjitha objektet e sekuestruara në cilësinë e provës materiale. Ato do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme edhe për praninë e gjurmëve të gishtërinjve. Mësohet se sasia e narkotikut e kalon peshën e 100 kilogramëve, ndërsa janë sekuestruar edhe pajisje dhe mjete që ndihmonin në përpunimin e drogës.

Nga ana tjetër laboratori vijon të konsiderohet një skenë krimi. Perimetri i tij është i kufizuar dhe ruhet nga efektivë të forcave të policisë. Burime jozyrtarë saktësojnë se deri më tani janë në pranga 5 persona, por pritet që ky numër të rritet. Mes tyre janë Xhevit e Mustafë Shuti, si edhe Flamur Çela, punonjës i zjarrëfikëseve në Shkodër. Sipas burimeve, ndërhyrja në laborator është bërë pas një hetimi disamujor gjatë të cilit ka pasur shkëmbim informacioni me agjencitë partnere. Lënda e parë dyshohet se ka mbërritur në Shqipëri në rrugë tokësore nga vendet e Lindjes së Mesme dhe se pas përpunimit ajo do të trafikohej në vende të Europës Perëndimore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!