Eros Grezda mund të jetë titullar këtë fundjavë për Rejnxhërsin

schedule15:53 - 19 Tetor, 2018

schedule 15:53 - 19 Tetor, 2018

Një lojtar i rëndësishëm i kombëtares pritet të jetë titullar këtë javë në Skoci. Eros Grezda besohet se është gati për skuadrën e madhe, Gllazgou Rejnxhërs. Të dielën mund të ketë një tjetër ditë të shënuar.

Pasi u rikthye titullar në kombëtare, Eros Grezda, ka shanse të jetë në formacion edhe për skuadrën e klubit, Gllazgou Rejnxhërsin. Lojtari sulmues pasi kaloi dëmtimin dhe bëri provën gjenerale në radhët e Shqipërisë në Izrael, ndihet më mirë dhe trajneri Stiven Xherrard mund t’ia japë shansin, në fushën e Hamiltonit. Duket se jo vetëm Grezda mezi pret që të luajë që nga minuta e parë për skuadrën e tij të re.

“Aftësia e Eros Grezdës për të luajtur si sulmues, është lajm i keq për shokët e tij tek Rejnxhërsi”, shkruan një media sportive skoceze. “Grezda mund të jetë arma e fshehtë për Rejnxhërsin, sapo të rikuperohet plotësisht nga dëmtimi”, komento faqja në internet, “But Rum”. Shqiptari i Kosovës foli për gazetën “Deili Rekord” duke i thënë se ndihet më mirë, dhe se ka biseduar me Xherrardin.
“Është e qartë që nuk jam ende në formën time më të mirë, – u shpreh Grezda për mediat skoceze pasi luajti për Shqipërinë në Izrael, – ishte 90 minutëshi im i parë pas shumë kohësh dhe nuk ishte e lehtë. Gjashtë muajt e fundit kam qenë i dëmtuar dhe kam luajtur pak me kombëtaren dhe me Rejnxhërsin”.

Deri tani, 23-vjeçari ka luajtur vetëm 13 minuta, si zëvendësues, në suksesin 4-0 të Rejnxhërsit ndaj Dandit në kampionatin skocez. Grezda u mor për 2 milionë paund stërlina, ndërsa Rejnxhërsi besohet se i ka vendosur në kontratë, klauzolën e shitjes prej 20 milionë paundësh. Tifozët shpresojnë që shqiptari nga Gjakova të jetë i rëndësishëm për realizimin e objektivit të klubit, titullit kampion, diçka që nuk arrihet që prej vitit 2011./abcnews.al