Aventura e Gennaro Gattusos në stolin e Napolit nuk përfundoi aspak mirë. Ekipi mbeti jashtë Champions League pas barazimit 1-1 me Hellas Verona dhe presidenti De Laurentiis shkarkoi menjëherë pas ndeshjes teknikun kalabrez.
Ky i fundit, i cili qëndronte në stolin e Napolit prej dhjetorit të vitit 2019, nuk lëshon asnjë fjalë negative dhe e cilëson si fantastike eksperiencën e kaluar tek ekipi ku luajnë edhe dy shqiptarët Elseid Hysaj dhe Amir Rrahmani.
“Ishte e mrekullueshme të drejtoja Napolin. Kanë qenë 1.5 vite intensive, një eksperiencë që do e mbaj gjatë në zemrën time. Falënderoj lojtarët, stafin teknik, të gjithë punëtorët dhe presidentin De Laurentiis që më dha këtë mundësi.
Kam njohur një qytet madhështor, kam jetuar shumë mirë me familjen time. Tifozët janë të jashtëzakonshëm, pavarësisht se pandemia i ka mbajtur larg atmosferës unike të stadiumit Diego Maradona.
Në ditët e fitores së Kupës së Italisë, por edhe në momente të tjera të bukura, e kam ndjerë fort dashurinë unike të napolitanëve ndaj skuadrës së tyre të zemrës. Afeksion që, së bashku me stafin tim, jam përpjekur t’ua kthej mbrapsht me punën e përditshme.
Kam punuar me përkushtim dhe profesionalizëm të madh. Tani rrugët tona ndahen, por nuk do i harroj kurrë këto muaj plot emocione“, shkruhet në letrën përshëndetëse të Gennaro Gattusos. /abcnews.al