Në Shkodër po presin me emocion të madh ndeshjen e nesërme kundër Laçit. Një fitore ndaj bardhezinjve shpall Vllazninë kampione të Shqipërisë, gjithmonë nëse ia del të sigurojë fitore më të thellë se sa Teuta.
Trajneri i kuqebluve, Thomas Brdaric prek disa tema në konferencën e zakonshme për shtypin, duke nisur nga dueli me ekipin e Duros, titulli kampion, shanset që trofeu i madh të vijë në Shkodër dhe e ardhmja e tij në stolin e Vllazninë.
“Jemi në finalen e kampionatit, nesër luajmë ndeshjen e fundit. Do e marrim si një ndeshje radhe, duhet të jemi shumë të fokusuar për të implementuar lojën tonë. Do e marrim seriozisht ndeshjen ndaj Laçit, njësoj si gjithë ndeshjet e tjera.
Ma merr mendja që nesër do të ketë betejë të vërtetë në të gjitha ndeshjet. Ne do të luajmë për ta fituar takimin, të shohim në fund çfarë rezultati do të kemi arritur. Duhet të jemi të qetë, të luajmë si skuadër dhe të tregojmë se jemi një grup i vërtetë. Më pas do të bëjmë llogaritë e sezonit.
Pengje? Nuk ka mbaruar akoma sezoni, le të presim edhe pak për të bërë analizën. Na lejoni të fokusohemi te kjo ndeshje. Nesër duhet të luajmë lirshëm, le të futemi në fushë për ta shijuar ndeshjen dhe për të marrë pikët që na duhen.
Duhet të jemi shumë të organizuar. E dimë që e gjithë Shkodra do e shohë ndeshjen me Laçin në televizion, duke pritur më të mirën nga ne. Ne duhet të përqendrohemi te ndeshja jonë.
Gabimet janë normale në futboll, por ne po bëjmë një punë serioze. Le ta marrim si avantazh faktin që askush nuk ka besuar te ne në fillim të sezonit. Duhet të jemi të kënaqur, jemi kualifikuar në Europë, një arritje e madhe. Le të punojmë nesër si gjithmonë. Duhet të jemi guximtarë, kërkues, të uritur dhe të ashpër.
Laçi? Unë mendoj vetëm si ta fitoj ndeshjen, jo me sa gola do të shënojmë. Nuk duhet ta mbajmë mendjen te numri i golave që duhet të shënojmë. Duhet të jemi të kujdesshëm, Laçi është një ekip me shumë eksperiencë, kanë një trajner me përvojë dhe kanë fituar trofe.
Na pret një ndeshje e vështirë dhe e luftuar. Duhet të zbresim në fushë për të luftuar, për të shijuar futbollin dhe për fitore. Sigurisht që na duhet edhe pak fat.
Martini? Unë mendoj se është një skemë apo taktikë e Edit. Ai ndoshta ka harruar që do të luhet edhe një ndeshje. Ata festuan sikur të ishte mbyllur kampionati, ishin shumë të lumtur pas barazimit me Laçin. U surprizova, por shpresoj t’i surprizojmë ne nesër.
E ardhmja? Jemi ende në garë, le të përfundojë sezoni. Shkodra është në një proces privatizimi dhe ai që do të marrë klubin, ndoshta, do të bëjë rezymenë e punës time. Kemi pasur disa diskutime, së shpejti do të mësojmë se kush do e marrë drejtimin e klubit. Kemi edhe dy ndeshje për të luajtur. Kemi bërë një sezon fantastik. Mendoj se e gjithë Shkodra duhet të jetë krenare për atë që kemi bërë, duhet të jenë krenarë për djemtë e mi.
Mungon Krymi? Nuk është një gjë speciale, sepse kemi shumë lojtarë të freskët, të cilët janë të gatshëm për të luajtur. Është pak zhgënjyese, pasi Krymi është një lojtar i rëndësishëm. Më pëlqen shumë, vlerësoj edhe rritjen e tij gjatë sezonit. Ekipi është gati për Laçin“, përfundoi Brdaric. /abcnews.al