Makina luksoze dhe pallat, dënohet me 5 vjet burg Elton Kila

schedule15:56 - 24 Maj, 2021

schedule 15:56 - 24 Maj, 2021

Gjykata e Elbasanit, miraton kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për dënimin e Elton Kilës. Kila u dënua me 5 vjet burgim, pas përfitimit të uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe sekuestrimit të disa pasurive në emër të tij dhe familjarëve.

Elton Kila u dënua vite më parë në Itali për trafikim të lëndëve narkotike, vendim që u njoh në Shqipëri.

Në Shqipëri ai u hetua për krim ekonomik për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale” lidhur me dënimin në shtetin italian.

Duket se ai u shpall fajtor për këtë akt, kështu që Gjykata miratoi kërkesën e Prokurorisë. Disa kohë më parë, Elton Kilës i janë djegur disa makina luksoze në stacionin e tij të shërbimit.

Njoftimi i Prokurorisë së Elbasanit”

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan miratoi sot kërkesën e Prokurorisë së Elbasanit për deklarimin fajtor të të pandehurit Elton Kila, i akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Elton Kila u dënua me 5 vjet burg, pasi mori një dënim të reduktuar për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe sekuestrimit të disa pasurive në emër të tij dhe familjes së tij.”

Pasuritë e sekuestruara: 

Me kërkesë të prokurorisë Elbasan, u ekzekutua Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan Nr. 913 date 07.12.2018, për sekuestro preventive për pasuritë:

  1. Një ndërtesë 5-katëshe, me  sipërfaqe banimi 1502 m2, në Elbasan
  2. Njësi Shërbimi me sipërfaqe 400 m2, në Elbasan
  3. Një sipërfaqe toke prej 5200 m², në Elbasan.
  4. Sekuestro 100% të kuotave të zotëruara nga shtetasja I.K në shoqërinë tregtare “KILA TRANS” sh.p.k.

-Elton Kila

/abcnews.al/