Serie A mbylli siparin e sezonit mbrëmjen e kaluar. Milani fitoi 0-2 përballë Atalantës dhe siguroi rikthimin pas shtatë vitesh në Champions League. Festë edhe te Juventusi. Hellas Verona frenoi Napolin në “Diego Maradona” në një barazim dhe në Champions do të luajnë bardhezinjtë.
Ekipi i Andrea Pirlos fitoi Kupën e Italisë dhe do të përballet në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Interit, skuadra që dominoi Serie A këtë sezon dhe fitoi titullin kampion. Dueli i zjarrtë do të zhvillohet në Arabinë Saudite.
Presidenti i Ligës, Paolo Dal Pino ka konfirmuar këtë fakt në prononcimin e dhënë për Radio Anch’io Sport. “Finalja e Superkupës do të luhet në Arabinë Saudite me tifozë. Inter-Juventus do të jetë një reklamë e bukur për futbollin italian“, deklaroi Dal Pino.
Kjo do të jetë hera e tretë që dueli i dy skuadrave më të forta italiane do të zhvillohet në Arabinë Saudite, pas asaj të vitit 2018 (Juventus-Milan 1-0) dhe të vitit 2019 (Lazio-Juventus 3-1). /abcnews.al