Nuk është bërë asgjë nga koha kur në Durrës u shpall Emergjenca Mjedisore. Në vendgrumbulimin e mbetjeve në Porto Romano plehrat po marrin më shumë terren dhe zona është akoma më e ndotur.
Këtu mbetjet po zgjerojnë territor. Gjendja jo vetëm nuk është permirësuar si kundër u premtua pas shpalljes së emergjencës mjedisore, por po përkeqësohet dita ditës. Kamionet shkarkohen çdo ditë në terren të hapur. Për tu ulur volumin, plehrave u vihet zjarri i pakontrolluar.
Banorja 1: “Shkarkojnë kamionët çdo ditë e çdo natë. Pisllëk më të madh se këtu nuk ka.”
Banori 2: “Të gjitha mbeturinat lëshohen në terren dhe gjëja më e keqe është që iu vendoset zjarri. Ndotja e ajrit është masive, sidomos nga mbrëmja dhe në orët e natës ka shumë ndotje.”
Rrethimi i vengrumbullimit, i cili do të sherbente për disiplinuar derdhjet dhe hyrje-daljet e njerëzve apo të kafshëve shtëpiake mungon. Zyrtarët e bashkisë e premtuan një gjë të tillë. Madje as kanali i ujërave të larta, i kthyer në një vatër ndotjeje nuk po pastrohet. Banorët flasin për përkeqësim të situatës. Ata thone se askush nuk po punon per kthimin e zonës në një vend të pastër.
Banori 3: “Më vjen turp më ardhë ata të shkollës time e tu them që banoj këtu, tek lagjia e plehrave, se dikur thuhej “tek burimi” të paktën, por ça është burimi këtu, tek lagjia e plehrave.”
Në bashkinë e Durrësit presin që zgjidhja të vijë nga qeveria. Pas shpalljes së emergjencës mjedisore duhet të ishte Komiteti i Menaxhimit të integruar të mbetjeve ai që do të vendoste kohën dhe vendin për depozitimin e mbetjeve urbane të qytetit bregdetar. Landfilli i Tiranës u përfol si mundësi. Por nga koha e shpalljes së emergjencës në fillim të muajit korrik, nuk janë bërë as ndërhyrjet paraprake. Madje bashkitë i shohin si një investim i shkuar dëm. Deri në gjetjen e një alternative përfundimtare, banorët e Durrësit do të frymojnë mes ndotjes.
Përgatit: Enkeleda Arapi, gazetare e ABC News, Durrës