Shoqërohen në policinë e Durrësit, djali dhe kushëriri i rivalit të Aldo Bares

schedule17:18 - 21 Maj, 2021

schedule 17:18 - 21 Maj, 2021

Djali i Saimir Taullaut, Sejmojeni dhe kushëriri Klajdi Taullau janë shoqëruar në policinë e Durrësit ditën e sotme. “ABC” mëson pranë grupit hetimor në qytetin bregdetar se shoqërimet janë bërë për llogari të një hetimi që ka nisur katër muaj më parë për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Kush është Saimir Taullau?

Saimir Taullau i arrestuar në shtator të vitit të kaluar në Maqedoni është vëllai i Baki Taullaut dhe figuron i skeduar nga Policia e Shtetit si një person me precedent të mëparshëm penalë.

Në tetor të vitit 2017, atij iu bë një tjetër atentat, por arriti që të shpëtojë me vetëm një plumb.

Familja Taullai është njohur si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.

Përplasja me Aldo Baren

Konflikti nisi në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi.

Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.

Familja e tij, ka patur gjithnjë përplasje me grupin e Aldo Bares, për shkak të një gjobe të vendosur gati 2 dekada më parë me vlerë 500 mijë euro.

Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë./ db/Abcnews.al