“I vetëm në këtë betejë?” Berisha: Grupi i PD-së nuk ka lidhje me këtë çështje

schedule18:39 - 20 Maj, 2021

schedule 18:39 - 20 Maj, 2021

Ish-kryeministri, Sali Berisha në konferencën e zhvilluar ditën e sotme deklaroi se këtë betejë të nisur do ta bëjnë avokatët.

Ai u shpreh se grupi parlamentar i PD-së nuk ka lidhje me këtë çështje, duke shtuar se është ai që do të vendosë në vend dinjitetin e tij dhe se shpalljen “non-grata” nga SHBA ndaj tij dhe familjes e konsideron cënim të dinjitetit.

Lexo edhe: Po tentojnë t’ju largojnë nga PD? Berisha i prerë: Bashkëqeverisja nuk i shërben vendit

 “Grupi parlamentar nuk ka lidhje me betejën time, betejën do ta bëjnë avokatët. Unë jam dhe insistoj për marrëdhënie të mira, por duhet të kuptohet që harmonizimi i objektivave do kohë të evolojë.

Unë nuk jam në gjendje ta pohoj se çfarë i shtyu pas 8 vitesh i tërhequr nga drejtimi i vendit, se në politikë jam. Me rëndësi është që motivi është i bazuar mbi të pavërteta”, tha Berisha.

Më tej ish-kryeministri tha se familjarët, njësoj si ai kanë respektuar ligjet e vendit.

“Ka tetë vite akuza dhe asnjë proces, asnjë padi penale. Përse? Sepse nuk kanë prova, gjithmonë i kam respektuar ligjet. Unë thash se do t’i drejtohem gjykatës dhe besoj se nuk duhet të flas më për këtë çështje”, u shpreh ish-kryeministri.

Berisha ritheksoi se për të me rëndësi janë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por më me rëndësi është dinjiteti njerëzor.

“Dinjiteti i njeriut është thelbi i njeriut të lirë. Jam përpjekur gjithë jetën ta ruaj”, tha Berisha.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!