Hetimet e nisura mbi zhdukjen e gazetarit Xhamal Kashogi duket se kanë trembur konsullin saudit në Stamboll, i cili të martën është larguar nga Turqia. Ndërkohë, pas ekspertizës së kryer në ambjentet e konsullatës, oficerët turq kanë konfirmuar pistën se trupi i Kashogi është ndarë në copa.
Zhvillimet e fundit mbi rastin e gazetarit Xhamal Kashogi kanë detyruar konsullin e përgjithshëm të Arabisë Saudite në Stamboll të lërë Turqinë dhe të udhëtojë drejt Riadhit. Sipas mediave ndërkombëtare, Mohamad al Otaibi la Turqinë me një avion të linjës disa orë përpara se banesa e tij në Stamboll të kontrollohej nga policia turke në lidhje me zhdukjen e gazetarit. Ndërkohë, agjentët turq të kriminalistikës hynë të hënën në selinë diplomatike saudite për të mbikëqyrur ambjentet ku thuhet se u vra reporteri. Mediat turke bëjnë me dije se agjentët kanë gjetur gjurmë substancash toksike, ndërsa një oficer turk ka konfirmuar për CNN hipotezën paraprake se trupi i Kashogit është coptuar pas vrasjes në ambjentet e selisë diplomatike. Ndërkohë, teksa ka pritur në një takim sekretarin amerikan të Shtetit Majk Pompeo, princi saudit i kurorës është shprehur dakord se rasti i Kashogit kërkon një hetim gjithëpërfshirës. Kashogi, figurë e njohur në shtypin saudit, u pa për herë të fundit më 2 tetor, kur u fut në konsullatën saudite të Stambollit. Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump spekuloi se për zhdukjen e gazetarit mund të jenë përgjegjës “vrasës rebelë”. Por të martën, bashkëpunëtori i tij i ngushtë, senatori Lindsi Graham akuzoi princin Mohamed bin Salman se ka urdhëruar vrasjen e Kashogit dhe se po vë në rrezik marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. /abcnews.al