Një tjetër kthesë e bujshme në hetimet për vdekjen e Diego Armando Maradonës në 25 nëntor të një viti më parë. Sipas mediave argjentinase, prokuroria e San Izidro është gati të ndryshojë në vrasje me dashje akuzën ndaj shtatë personave, të cilët aktualisht janë nën hetim.
Sipas akuzës, doktori Leopoldo Luque, mjek personal i Maradonës, psikiatrja Augustina Kosacov, psikologu Carlos Diaz, infermierët Dahiana Madrid dhe Ricardo Almiron, Nensi Forlini, drejtuese e kompanisë së sigurimeve që merrej me asistencën në shtëpi të ish-yllit të Napolit, dhe Mariano Peroni, koordinator i infermierëve që kujdeseshin për Diegon në shtëpinë e tij në Tigre; nuk kanë bërë asgjë për të ndaluar vdekjen e futbollistit të madh argjentinas.
Të hetuarit, të cilëve u është ndaluar të dalin nga vendi, do të dalin para gjykatësit më 31 maj. Nëse do të vërtetohet se ata kanë pasur më shumë përgjegjësi se sa një neglizhencë të rëndë, të shtatë ata rrezikojnë nga 8 deri në 25 vjet burg.
Mediat argjentinase raportojnë se autopsia e kryer për vdekjen e Maradonës zbuloi se ai u braktis nga ekipi shëndetësor në ditët e fundit të jetës, teksa Diego i është nënshtruar terapive të papërshtatshme, të varfra dhe të rrezikshme.
Për më tepër Lukue, sipas raportit të përgatitur nga hetuesit, akuzohet dhe për përdorim dokumentesh private të falsifikuara. Kjo sepse sipas akuzës, mjeku ka falsifikuar firmën e Maradonës për të kërkuar një kopje të historikut të sëmundjeve të pacientit në strukturën në të cilën u operua për një hematomë në tru. Prokuroris kërkoi që të hetuarve t’u tërhiqen pasaportat. /abcnews.al