“Çdo djalë dhe çdo vajzë, pavarësisht mbiemrit, ka shans t’ia dalë me sukses në Tiranë”. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nxiti studentët që ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve në një bashkëbisedim me ta.
Edhe këtë vit të ri akademik Tirana mikpriti mijëra studentë të ardhur nga rrethe dhe treva të ndryshme të Shqipërisë. Rreth 20 mijë prej tyre do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve. Për t’i uruar mirëseardhjen në rrugëtimin e tyre të ri në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit te Gjuhëve të Huaja.
“Besojmë se shtimi i Tiranës me studentë të mirë, me njerëz të mirë, me qytetarë të devotshëm, me njerëz të rinj pasionantë, e bën qytetin më të mirë, jo më të keq. Per mbi 20 mijë studentët që fillojnë për herë të parë vitin e ri studentor, statistikat tregojnë se 9 nga 10 do të jetojnë në Tiranë dhe nuk do të kthehen në rrethin nga kanë ardhur. Kjo nuk duhet të na trembë. Unë besoj se Tirana sot është epiqendra e çdo zhvillimi politik-kulturor-ekonomik dhe mendoj se çdo djalë e çdo vajzë, pavarësisht si e kanë mbiemrin, pavarësisht çfarë lidhje ka me partitë, duhet të ketë një shans t’ia dalë me sukses në Tiranë dhe kjo është ambicia e Bashkisë së Tiranës”.
Kryebashkiaku njohu studentët me disa nga nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës si hapja e bibliotekave të lagjeve e pistat e biçikletave, Veliaj ndërsa i ftoi ata t’i bashkohen rrjetit të vullnetarëve. /abcnews.al