Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Ballkani duhet të çlirohet nga disa kriminelë të luftës.
Limaj tha se Kurti duhet të qartësojë kush janë ata kriminelë në Ballkan duke shtuar se nuk duhet të frikësohet nëse e ka fjalën për Vuçiçin.
“Me shiku kështu me del si me qenë përfaqësues i BE-së për Ballkanin kjo deklaratë. Detyra e kryeministrit të Kosovës është interesi i vendit të vet. Ai duhet të qartësojë kush janë ata kriminelë në Ballkan. Ai nuk duhet të frikësohet të thotë se a është Vuciqi, le të na sqarojë. Ky transformim në këto tema është goxha interesant. Mendoj se është deklarim skandaloz, nuk i shkon kryeministrit kështu. Shpresoj që ai ta përmirësoj”, ka thënë Limaj në ATV.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka qëndruar në Bruksel për një darkë të cilët e ka shtruar përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, e në të cilën kanë marrë pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pas takimit, në një konferencë për media, Kurti ka përmendur edhe tri shtyllat kryesore mbi të cilat vendet e Ballkanit e Përëndimor, përfshirë edhe Kosovën, mund të ecin përpara drejt integrimit në BE. Një nga këto shtylla, siç thotë Kurti, është eliminimi nga skena politike e kriminelëve të luftës, megjithatë nuk e ka specifikuar se për kë saktësisht e ka fjalën.