S’ka vaksina, dita e katërt radhazi që qytetarët në Tiranë, Durrës dhe Vlorë nuk morën dozat

schedule19:30 - 19 Maj, 2021

schedule 19:30 - 19 Maj, 2021

Për të katërtën ditë me radhë shumë qytetarë që shkojnë në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë për të marrë dozën e dytë të Sinovakut kinez kthehen në shtëpi pa e kryer atë.  Shkak është bërë sasia e pakët e vaksinave në dispozicion.

Në mesditë Policia Bashkiake mbylli hyrjen për qytetarët. Por dhe ata që ishin brenda rrethimit të qendrës më të madhe të vaksinimit në vend jo të gjithë patën fatin të vaksinohen.  Ndonëse pritën gjatë në radhë disa vetëm u regjistruan për tu kthyer nesër sërish.

Vaksina kineze mungon dhe në qytete të tjera dhe qytetarët janë të detyruar të shtyjnë datën e injeksionit të dytë.

Me nisjen e vaksinimit masiv pjesa më e madhe e qytetarëve morën vaksinën kineze ndërkohë vaksinat në dispozicion janë drejt fundit.

Që prej 11 janarit në Shqipëri kanë mbërritur rreth 756 mijë doza anti Covid  të Pfizer, AstraZeneca-s,  Sputnik e Coronavak dhe më shumë se 688 mijë injeksione janë kryer.

Në vend ka ende afro 67 mijë doza anti Covid, por vetëm rreth 228 mijë persona i kanë kryer  të dyja injeksionet ndërsa 460 mijë vetë kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës.

Për të mbyllur procesin e imunizimit mesa duket ata duhet të presin derisa në vend të mbërrijnë sasitë të tjera  të vaksinave kundër koronavirusit./ Abcnews.al