Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme në Bruksel në një darkë me liderët e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell.
Pjesë e takimit ku u diskutua jo vetëm për pandeminë dhe problemet aktuale, por edhe integrimin ishte edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.
Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi një bisedë “kokë më kokë” me Oliver Varhelyi, ndërsa zyrtari i lartë i Brukselit në një postim në Twitter shkroi se diskutimi ishte mjaft i rëndësishëm.
“Në darkë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm për ne që ta bëjmë këtë vit të jetë viti i Ballkanit Perëndimor.
JosepBorrell ringjalli traditën e diskutimeve joformale me udhëheqësit rajonalë” shkruan Varhelyi.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ishte po ashtu pjesë e darkës së punës, ndërsa postoi një foto me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, të cilin e përgëzoi për fitoren e zgjedhjeve.
“Unë e përgëzova për fitoren në zgjedhje dhe diskutova mbi zhvillimet e fundit rajonale dhe rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor” shkroi ai në një postim në Twitter./ Abcnews.al