Gjykata e Matit vendosi arrest me burg për Kujtim Koxhën i cili vrau tre persona dhe plagosi një tjetër. Në seancë nuk ishte asnjë familjar i tij, ndërkohë që ishin marrë masa të rrepta sigurie.
Masa të rrepta sigurie u morën në gjykatën e Matit, ndërsa do të jepej masa e sigurisë për vrasësin e trefishtë Kujtim Koxhën. Në seancë ashtu si edhe në polici dhe në prokurori, Koxha nuk ka folur shumë. Ai ka qëndruar fjalëve të tij që nuk kishte rrugë tjetër pasi viktimat e kishin ofenduar dhe qëlluar me shpullë në mes të banorëve. Gjatë gjithë kohës Koxha ka qëndruar me kokë ulur dhe në një moment kur gjyqtari i komunikoi masën “burg pa afat”, ai tha “si të jetë ligji”.
Avokati që autori i vrasjes priste nuk ishte në masën e sigurisë dhe ai u mbrojt nga një avokat kryesisht. Në sallë nuk ishte asnjë familjar i tij, të cilët mësohet se janë në ruajtje edhe nga policia për shkak të frikës nga gjakmarrja. Koxha la të vrarë dy punonjësit e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, Mentor Hoxha, 36 vjeç, nga fshati Burgajet, Erzen Alia, 49 vjeç, nga fshati Zenisht dhe Hamit Buçi, 43 vjeç, nga fshati Shëlli ku ndodhi edhe ngjarja. Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe punonjësi tjetër i bashkisë, Astrit Hani, 40 vjeç, po nga Zenishti. Vrasja ndodhi pasi Kujtim Koxha u kërkoi punonjësve të bashkisë që të shtrojnë rrugën deri afër shtëpisë së tij.
Fillimisht pati një debat verbal mes tij dhe viktimave. Koxha ka pretenduar se është qëlluar me shpullë dhe pas kësaj u tha punonjësve që po drekonin, “tani do të me njohni”. 20 minuta më pas u kthye nga shtëpia me automatik në dorë dhe la tre të vrarë, e një të plagosur./abcnews.al