Brdaric: Ndaj Kastriotit duhet zgjuarsi, Vllaznia ime me mentalitet gjerman

schedule12:13 - 16 Maj, 2021

schedule 12:13 - 16 Maj, 2021

Vllaznia pret Kastriotin nesër në “Loro Boriçi”. Një sfidë aspak e thjeshtë, por fitorja është alternativa e vetme për ekipin shkodran. Trajneri i kuqebluve, Thomas Brdaric foli gjatë në konferencën për shtypin, aty ku ndër të tjera tha:

Jemi në fundin e sezonit dhe e dimë që çdo pikë është e rëndësishme për ne. Jam shumë i kënaqur me pikët që morëm në Ballsh, jam i bindur që do vazhdojmë të bëjmë lojëra të mira dhe të marrim pikët.

Europa League? Mendoj se është një ndjesi e mirë që e kemi gjithçka në duart tona. E dimë se me përqendrim maksimal dhe të gjithë ekipin së bashku, do të jemi të aftë të arrijmë qëllimin final. Jemi totalisht të fokusuar te ndeshja e nesërme.

Neglizhencë ndaj Kastriotit? E njohim shumë mirë Kastriotin, e dimë se si luajnë ata. E mbaj mend mirë ndeshjen e fundit që luajtëm ndaj tyre këtu. Përveç motit që ishte shumë i keq, mendoj se ata bënë një lloj lojë të pandershme.

E harruam shpejt atë ndeshje dhe u rikthyem në mënyrën e duhur. Duhet të bëjmë një lojë të zgjuar, të mendojmë shpejt, gjithashtu të veprojmë shpejt dhe të mos i lëmë ata që të zhvillojnë stilin e tyre të lojës.

Titulli? Përgjigja është e thjeshtë, tani jemi në këtë pozicion. Nuk ka rëndësi se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Duhet të përkushtohemi që të vazhdojmë punën e mirë, është një proces që nga dita e parë, një punë që vazhdon për të rritur dhe për të ruajtur balancën e stilit të lojës që ne kemi vendosur të luajmë.

Ekipi ka treguar progres në muajin e fundit. Mendoj se kemi luajtur shumë mirë këtë sezon, duhet të ruajmë këtë pozitë. Kemi mësuar nga gabimet, jemi krenarë për kampionatin që kemi bërë. E dimë që ekipet sipër nesh janë shumë të forta, kanë më shumë eksperiencë se ne, ndoshta kanë investuar më shumë, por ne po rritemi dita ditës. Mendoj se pozita ku jemi është e mirë dhe ka kërkuar shumë punë.

Çdo ndeshje është betejë, çdo ndeshje është sfidë. Nuk duhet të harrojmë kushtet e vështira të punës, por e shoh që ekipi im ka përparuar, me punë të forta ka arritur edhe rezultate pozitive.

Më pëlqen Gjermania, siç më pëlqen Shqipëria. Në Shkodër e duan mentalitetin dhe edukatën gjermane, kam shumë dëshirë të sjell pak nga mentaliteti gjerman te Vllaznia. Jam shumë i kënaqur që e kam bërë kapiten Gurishtën, është një lider i vërtetë, bashkë me të tjerët. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë nga fillimi, shpresoj ta vazhdojmë këtë punë.

Kastrioti? E di shumë mirë stilin e tyre, por kam shumë besim se do t’i mposhtim nesër. Jemi në formë shumë të mirë, kemi një stil loje shumë më të mirë se i tyre“, përfundoi trajneri i ekipit shkodran. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!