Në Qelëz të Pukës shumë gra janë bashkuar dhe merren me kujdesin dhe rritjen e bletëve. Të ndihmuar edhe nga programe të ndryshme ato kanë arritur sukses përmes një sektori që u ka forcuar ekonominë e familjes së tyre.
Nuk duhet të dorëzohesh kurrë. Ky është motivi i grave në Qelëzës të Pukës. Nuk janë papunë, por edhe një punë tjetër thonë se do ishte mirë. Ato janë krah i fortë në ekonominë e familjes.
“Janë 33 gra që janë grupuar dhe kanë krijuar këtë organizatë të tyre të bletarëve që quhet “Bletët Punëtore”. Kanë zgjedhur që të ndihmojnë familjet përmes punës”.
Bletët janë pasioni i tyre. Ndodhen në zonë me mundësi për kultivimin e këtij lloj biznesi. Ato kujdesen çdo ditë.
“Ne i shohim a janë t’u lëviz a janë t’u dalë a kanë ushqim dhe pastaj sipas varianteve të punës punojmë”.
Bletaria ka ndikuar në jetën e tyre. Ndjehen edhe më të vlerësuara.
“Na ka bërë që të jemi më të bashkuara dhe më të forta në punë, bëjmë edhe muhabet edhe punojmë, pimë dhe kafe”.
Këtu është siguruar edhe një laborator për përpunimin e mjaltit. Gjithashtu si ndihmë kanë marrë kavanoza qelqi.
“Duke parë nevojën që mjalti është bërë një produkt, jo më si dikur që përdorej si ilaç, sot është futur në çdo familje dhe po gjendet çdo ditë në tryezat tona”.
Territori është i ashpër. Rrugët qarkullohen në këmbë, si fëmijët që shkojnë në shkollë, ashtu edhe gratë.
Këtu në fshatin Ukth janë grupuar dhe punojnë së bashku. Shtatë familje kanë 55 koshere bletësh.
“Edhe të ardhura na sjell bleta. Shesim mjaltin edhe lekë, kryesisht del një rrogë shumë e mirë me bletët”.
Kujtime Nurja, koordinatore e projektit të krijimit të një kooperative të grave bletërritëse, tregon se ne fillim ishin skeptike. Por u arrit të grupohen 33 gra bletërritëse. Ato nuk janë tërhequr dhe kanë thithur dhe fonde.
Kujtime Nurja,koordinatore e projektit: “U pa që ai vlen me punu sëbashku të gjitha kanë shkruar një projekt dhe kanë përfituar nga ky projekt të cilën po e vënë në lëvizje dhe po punojnë me këtë shumë që e kanë përfituar”.
Grupimi “Bletët punëtore” të Qelëzës së Pukës kanë rreth 500 koshere dhe mjalti është tregtuar i gjithi falë cilësisë.
Për gratë punësim nuk do thotë vetëm në fabrikë. Por siç edhe ky rast. Të rrisësh bletë e të marrësh mjaltin e tyre.
Gazetar i ABC News: Simon Shkreli