Ndërtimet pa leje, turizmi e çmimet në Sarandë, Çipa: Më 31 maj vijnë charterat e parë nga Polonia

schedule20:07 - 14 Maj, 2021

schedule 20:07 - 14 Maj, 2021

Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Sarandë, Arben Çipa në një lidhje me “Skype” në Radari Informativ në “ABC” foli për sezonin turistik dhe sfidat që pritet të ketë këtë vit.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehi, Çipa tha se më 31 maj priten që në Shqipëri të vijnë charterët e parë me turistë nga Polonia.

“Me sa duket këtë vit do ta fillojë e fundit dhe do ta mbyllë e fundit sepse fakti që Korfuzi është mbyllur Saranda ka rënie nga turizmi i huaj. Por besoj se këtë vit do të përfitojë Durrësi pasi tregu polak që tashmë është bërë klasik, do të vazhdojë të funksionojë. Pasi në 31 maj pritet charterat e parë me turistë nga Polonia”, u shpreh Çipa.

Lexo edhe: “Tri pengesat që ka sezoni turistik,” Besnik Vathi: Ky vit do të ketë rreth 800 milionë humbje

Ai gjithashtu u shpreh optimist për këtë sezon turistik në Sarandë, duke shtuar se këtë vit ka ndryshuar performancë dhe është fokusuar tek shërbimet e bregdetit.

“Dua të garantoj se shërbimi padyshim ka vend për përmirësim, por aktualisht është shërbim i qetë”, tha Çipa.

I pyetur për kërkesën e kryeministrit Edi Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje, Çipa tha se kjo do të kishte ndikim negativ në prag të sezonit, ndërsa shtoi se kjo kërkesë do të ishte mirë të zbatohej gjatë muajit nëntor.

Pjesë nga intervista:

Me ç’kushte do të vijnë turistët polakë?

Çipa: E kanë marrë informacioni herët nga ne, dhe për faktin e protokolli jonë është fleksibël, ka ndihmuar për një vendimmarrje më të shpejtë për partnerët tanë në Poloni. Ne operatorët që bashkëpunojmë me polakët, pas vendimit që mori qeveria për të vaksinuar operatorët krijon një lehtësim të madh.

Do t’i kemi të gjithë punonjësit të vaksinuar para sezonit?

Çipa: Besoj se në masën 70% do të jetë e vaksinuar pjesa që është e involvuar në turizëm. Ne si shoqatë e kemi përcjellë mesazhin për aplikimin e vaksinimit, besoj se në Sarandë i kemi arritur deri në 50%.

I ndalur tek turizmi në Sarandë,  Çipa tha se ky qytet ka një tipologji ndryshe nga Durrësi apo Vlora, sepse  bizneset janë familjare dhe të kontrolluara.

“Bizneset janë familjare dhe janë të kontrolluara. Unë do të thoja se me kujdesin e tyre realiteti është jo i rrezikshëm. Mendoj që prenotimet që janë bërë nga turistë të huaj të pavarur, mendoj që situata do të jetë 20 % më mirë në krahasim me vitin e kaluar”, u shpreh ai.

Çmimet do të jenë më të rritura këtë vit?

Çipa: Kemi rënë dakord si shoqatë që të jemi të ndjeshme edhe për sivjet. Do të jenë të njëjta si vitin e kaluar, por nuk e përjashtoj mundësinë që një apo dy hotele të abuzojnë.

Kërkesa e kryeministrit për të prishur ndërtimet pa leje në prag sezoni?

Çipa: Nga vetë termi prishje, nuk shërben për të tërhequr njerëzit. Nëse do të na pyesin ne dhe e kanë vendosur , të fillojnë në nëntor. Pasi në këtë periudhë janë dy gjëra që nuk ecin paralel. Nëse do të ndikojnë për mirë mund të them që në një plan afatgjatë mund të duhet, por jo në prag turistik.

/abcnews.al/