Brnabic: Prishtina të mos flasë më për Luginën e Preshevës, qëndroni larg!

schedule16:08 - 12 Tetor, 2018

schedule 16:08 - 12 Tetor, 2018

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç i ka kërkuar Prishtinës që të mos flasë më për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën që sipas saj janë qendra e Serbisë. Ajo paralajmëroi se institucionet në Prishtinë duhet të qëndrojnë larg këtij rajoni.

Përfaqësuesit e autoriteteve të përkohshme në Prishtinë as nuk duhet të flasin më për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, gjithashtu ajo ka paralajmërujar se Prishtina duhet të qëndrojë larg qendrës së Serbisë.

Ka qenë kjo deklarata e fortë e kryeministres serbe Ana Brnabic e cila shtoi se të dyja palet duhet të flasin për gjetjen e një kompromisi. Kompromis që do të ndihmonte në normalizimin afatgjatë të marërdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Kryetarja e ekzekutivit serb ka reaguar në këtë mënyrë ndaj deklaratës së presidentit të Kosovës Hashim Thaci. Ky i fundit u shpreh se kishte marrë mbështetjen e presidentit francez Emanuel Makron për arritjen e një marrëveshjeje sa më të shpejtë mes dy vendeve. Një marrëveshje që do të mund të përfshinte dhe korrigjimin e kufijve duke përfshirë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin në territorin e Kosovës.

Brnabic tha se nuk mud të komentonte dot deklaratat e Thaçit apo të politikanëve të tjerë kosovarë, pasi sipas saj ata i ndërrojnë qëndrimet e tyre çdo ditë.

Kryeministrja serbe shtoi se kjo tregon se ajo kishte të drejtë kur thoshte se në anën tjetër të tryezës në dialogun e Brukselit duhen njerëz që bëjnë atë që thonë.

“Ju lutem atyre të mos flasin më për Preshevën, Bujamovcin dhe Medvegjën pasi kjo nuk ka asnjë lidhje me jetën e vërettë. Dhe ju lutem le të mos futemi më thellë në qendër të Serbisë,” theksoi ajo.

Brnabic tha se Serbia është dhe do të jetë fleksibël, e duruar dhe tolerante por cdo gjë ka një fund. Sipas saj vlerat më të larta të serbisë janë liria dhe paqja, dhe kjo e fundit do të ruhet me çdo kusht, çfarëdo të ndodhë. Por territori i Serbisë qendrore nuk do të jetë më temë diskutimi, përfundoi ajo. /abcnews.al