Autoritetet në Sarajevë kanë ngritur akuzë për krime lufte ndaj ish-komandantit të myslimanëve-boshnjakë. Atif Dudakoviç akuzohet për vrasjen e 300 serbëve, mes të cilëve civilë dhe ushtarë të dorëzuar.
Komandanti i boshnjakëve myslimanë gjatë luftës së viteve 1992-95 dhe 16 anëtarë të njësisë së tij janë akuzuar të enjten për kryerjen e masakrave ndaj serbëve në perëndim të Bosnjës. Atif Dudakoviç është akuzuar gjithashtu për krime kundër boshnjakëve që ishin anëtarësuar ose kishin mbështetur një fraksion rival në zonë gjatë konfliktit. Nga ana e tij, 65-vjeçari i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar të motivuara politikisht.
Bosnja qeverisej nga partitë nacionaliste serbe, kroate dhe boshnjake gjatë luftës që mori mbi 100 mijë jetë njerëzish. Dudakoviç ishte gjeneral i ushtrisë myslimano-boshnjake që udhëhoqi trupat që vepronin në enklavën Bihaç, e rrethuar dhe e sulmuar nga forcat serbe në vitet 1991-95.
Pas luftës, ai shërbeu si komandant i përgjithshëm i federatës autonome kroato-boshnjake, që më vonë u bashkua me forcat e armatosura të vendit. Sipas prokurorëve të çështjes, të pandehurit akuzohen për vrasjen e 300 serbëve, shumica e të cilëve civilë dhe të moshuar, por edhe ushtarë të dorëzuar. Trupat e një pjese të viktimave u gjetën në varre të shumta masive dhe individuale të zbuluara pas luftës, ndërkohë që për të tjerët kërkimet vazhdojnë.
Dudakoviç dhe 11 anëtarë të njësisë së tij u arrestuan në prill nën akuzën për krime lufte, por më vonë u lanë në liri të mbikëqyrur. Prokurorët kanë deklaruar se do të thërrasin 447 dëshmitarë në proces dhe do të publikojnë 1 mij e 100 dokumente si prova. Tashmë i takon gjykatës shtetërore të Bosnjës për të konfirmuar padinë. /abcnews.al