Liverpool fitoi 2-0 ndaj Southampton dhe u rikthye te fitorja pas dy barazimeve radhazi. Tre pikë shprese për objektivin Champions League. Leicester City i vendit të katërt është 6 pikë larg, por “The Reds” kanë luajtur një ndeshje më pak.
Jurgen Klopp vlerëson triumfin ndaj “Shenjtorëve”, që erdhi falë golave të Sadio Mane dhe Thiago Alcantara. Objektivin Champions League e sheh të vështirë, por jo të pamundur. Djemtë e tij do të bëjnë maksimumin për të shpëtuar sezonin.
“I merituam tre pikët ndaj Southampton. Shënuam një gol të bukur në pjesën e parë, por nuk po arrijmë t’i mbyllim ndeshjet. U mësuam tashmë me këtë situatë. Goli i dytë na çliroi. Luftuam dhe fituam, nuk ka më bukur.
Vendi i katërt? Nuk është i pamundur, po do e kemi tepër të vështirë ta arrijmë. Nuk dorëzohemi, do tentojmë deri në fund të kualifikohemi në Champions League, të shohim nëse do ia dalim“, deklaroi trajneri gjerman. /abcnews.al