Alarupi pa ujë, 600 banorë të fshatit me një çezmë

schedule16:22 - 9 Maj, 2021

schedule 16:22 - 9 Maj, 2021

Nga Ledjona Xheladinaj

600 banorët e fshatit Alarup të Pogradecit prej afro 40 vitesh vuajnë mungesën e ujit. Vetëm në këtë çezmë të fshatit mund të mbushin ujë.

Pritje në radhë, larja e enëve të kuzhinës dhe kuvertave në çezmën e fshatit. Kjo është situata në Alarup. Prej vitesh nuk ka ujë e vetmja zgjidhje është kjo çezmë.

Pamjet tregojnë qartë që këtu lajnë dhe rrobat. Të moshuarit e kanë më të vështirë të lëvizin nga banesat deri në qendër të fshatit ku ndodhet dhe kjo çezmë pasi nuk mbajnë dot shumë ngarkesë. Ndaj detyrohen të mbushin ujë disa herë në ditë.

“40 vite pa ujë, që kur jam martuar. Markuçin kam këtu që laj enët. Për të mbushur ujë për të pirë vij  deri 5 herë në ditë. Për të larë njëherë në dy ditë. Është e pandemia duhen larë duart shpesh? Po hë me se ti laj,” thotë një banore.

Më shumë probleme hasin në verë. Jo vetëm se prej vapës nevoja për të konsumuar ujë të pijshëm është më e madhe, por dhe për shkak se sasia e ujit pakësohet.

“Tani shteron e ja dy muaj vjen pak. S’ka ujë,” thotë banori.

“Dua të kem uji në shtëpi. Në behar mbushet plot të vjen radha në mes të natës,” shprehet një tjetër.

Alarupi është i pasur më burime ujore. Po mungon një ujësjellësi që të shpërndajë ujin në banesa e tyre.

Për tu zgjidhur ky problem i mbartur ndër vite kanë trokitur shpesh herë nëpër zyrat vendore. Shqetësimin e kanë bërë publik edhe përmes mediave por nuk kanë asnjë përgjigje se kur mund të ndërtohet një ujësjellës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!