Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin partneri ideal për të bindur Turqinë të pranojë Konventën e OKB mbi Ligjin e Detit që ka përplasur dy vendet.
“Shtetet e Bashkuara do të ishin partneri ideal për të bindur Turqinë se një gjë e tillë (pranimi i Konventës së KB mbi Ligjin e Detit) do të çonte në një të ardhme më të mirë për vetë Turqinë, një të ardhme më të qëndrueshme për rajonin dhe shumë më mirë marrëdhëniet SHBA-Turqi.
Ka plot shembuj. Shtetet e Bashkuara kanë fuqi në rajon dhe janë e vetmja forcë që komunikon lehtësisht me pothuajse të gjitha palët dhe për këtë arsye është forca që mund të përmirësojë marrëdhëniet midis të gjitha palëve në rajon” tha ministri grek.
Dendias gjithashtu iu referua edhe BE-së, duke thënë se ajo është thirrur të luajë një rol dhe se duhet të kuptojë se përveç që është një fuqi e madhe ekonomike, ajo duhet të jetë gjithashtu një fuqi e madhe gjeopolitike.
Duke vazhduar, ai vuri theks të veçantë në bashkëpunimin e Greqisë me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se lulëzimi i marrëdhënieve greko-amerikane është për shkak të faktit se ato janë ndërtuar mbi bazat e forta të vlerave të përbashkëta.
“Ne kishim një marrëdhënie shumë të mirë me administratën e Obamës, me administratën Trump dhe ne vazhdojmë të kemi një marrëdhënie shumë të mirë me administratën e Biden. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen e re të bashkëpunimit të mbrojtjes së ndërsjellë me administratën Trump dhe jemi në negociata me administratën e Biden për ta azhurnuar më tej atë.
Ne do të dëshironim të shihnim një prani më të madhe të SHBA në rajon. Kjo është një zonë shumë e trazuar dhe më duhet të them se kur SHBA lënë një boshllëk, atëherë ne shohim forca të tjera, të cilat jo domosdoshmërisht ndajnë vizionin tonë të rendit ndërkombëtar dhe demokracisë, duke u përpjekur ta plotësojnë atë boshllëk. Prandaj, rajoni ka nevojë për një prani më të madhe amerikane dhe jo më pak” shpjegoi Dendias./ Abcnews.al