Studentët e Universitetit të Tiranës do ta mbyllin këtë vit akademik ashtu si e nisën. Konsultimet dhe provimet do të zhvillohen të kombinuara mes pranisë në klasë dhe asaj online.
Drejtuesit e fakulteteve të institucionit më të madh të arsimit të lartë në vend u mblodhën pasi Komitetit Teknik i Ekspertëve për Covid-19 i dha dritën jeshile hapjes së pjesshme të auditoreve dhe vendosën të bazohen në modelin e ndjekur semestrin e parë.
“Të njëjtin ushtrim kemi bërë. Dhe Universiteti i Tiranës megjithëse e kishte të mundur auditorin me ato kufizime, praktikisht mbi 90 për qind të provimeve të semsestrit të parë i zhvilloi në distancë. Dhe, rezultoi me sukses me gjithë problematikat që ka.”
Stafi akademik ndjehet më i sigurt për t’u rikthyer në auditore pas vaksinimit anti-covid, por sipas Rektorit Artan Hoxha alternimi është parë si mënyra më efikase për shkak të numrit të lartë të studentëve dhe hapësirave në dispozicion.
“Me përjashtim të atyre që për shkaqe objektive nuk janë vaksinuar, ata që e kanë pasur mundësinë janë vaksinuar. Kemi më shumë se 80 për qind të pedagogëve që janë vaksinuar. Po kujdesin më të madh e kemi për studentët.”
Në Universitetin e Tiranës mësojnë rreth 40 mijë studentë dhe japin mësim rreth 2500 pedagogë. Sezoni I provimeve në institucionin më të madh të arsimit të lartë në vend do të nisë më 20 maj dhe do të paraprihet nga dy javë konsultime. /abcnews.al/