Nga Linda Karadaku
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se përfshirja e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, i ka befasuar për të keq. Besa Gaxherri, anëtare e kryesisë së LDK-së, komentoi për emisionin Ballkan, pjesëmarrjen e zotit Kurti në zgjedhjet e 25 prillit. “Është çështje e ndjeshme dhe është shumë gabim.
Në pozicionin që është Kosova me Serbinë dhe në çfarë pozicioni është Kosova dhe Shqipëria, në aspektin e integrimeve evropiane e kështu me radhë, është krejtësisht e paimagjinueshme që në këto moment kur ne po pretendojmë si Kosovë me e përmbyllë dialogun me Serbinë, të cilat hapin tema dhe i japin mundësi Serbisë të kalkulojë edhe shumë tema të tjera, pikërisht duke u bazuar në këtë sjellje.
Ndërsa në aspektin tjetër kombëtar e moral, nuk mund të pajtohemi që ne duhet që ne të shkojmë e ti bëjmë garë njëri-tjetrit në shtetet relevante, që e konsiderojmë njëri-tjetrin vërtetë shumë të afërt, dhe jo vetëm e konsiderojmë, por kemi edhe obligime ndaj njëri-tjetrit.
Por jemi dy shtete. Obligimet kanë kufijtë e tyre ndërkohë që përgjegjës për shtetin tonë dhe për shtetin e Shqipërisë janë qeveritë e zgjedhura nga populli I tyre.” Zonja Gaxherri thekson se është ndryshe shkuarja për të votuar e një qytetari të zakonshëm të Kosovës, por ajo e kryeministrit është shumë e dëmshme./ Abcnews.al