Ka përfunduar mbledhje e parë e Komisionit të Ligjeve lidhur me procedurën e ngritur për shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja gjatë mbledhjes ka kërkuar që takimi i radhës të zhvillohet sërish ditën e nesërme, 6 maj. Ndërkohë Manja ka ftuar edhe Presidentin Ilir Meta që të jetë i pranishëm ditën e nesërme në mbledhje.
Kështu Komisioni i Ligjeve , me 13 vota pro dhe vetëm 1 kundër miratoi që mbledhja dhe dëgjesa e Presidentit Meta të zhvillohet me datë 6, ora 11:00.
Kujtojmë se kjo mbledhje shkon kundër asaj që kërkoi presidenti Meta, i cili me anë të një letre dërguar Komisionit Zgjedhor është shprehur se do të jetë i pranishëm më datën 10 maj, datë kjo që përkon me ‘Ditën Kombëtare të Drejtësisë’.
Ulsi Manja: 13 pro, 1 kundërt, asnjë abstenim, mbledhja e Komisionit të Ligjeve do të jetë nesër në orën 11:00 dhe në rend dite do të jetë edhe njoftimi i Presidentit të Republikës për t’u dëgjuar dhe shprehur në lidhje me kërkesën e një grupi prej 50 deputetësh që kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit. /abcnews.al/